Osmani: Zëri evropian i shqiptarëve është shndërruar në asgjë dhe kjo asgjë quhet VLEN

Osmani: Zëri evropian i shqiptarëve është shndërruar në asgjë dhe kjo asgjë quhet VLEN
Screenshot

Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka akuzuar koalicionin VLEN se ka dështuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve për avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se për dy vjet qeverisje vendi nuk ka shënuar asnjë përparim substancial drejt Bashkimit Evropian. Në një konferencë për media, në kuadër të fushatës së BDI-së “Dy vite nënçmim – VLEN asgjë”, Osmani tha se dështimi më i madh i VLEN-it është “shkatërrimi i idesë evropiane”, me pasoja të drejtpërdrejta për shqiptarët.

“Ne shqiptarët në këtë shtet gjithmonë kemi qenë motori i orientimit euroatlantik të vendit. Kjo sepse Evropa është përkatësia jonë, kurse integrimi evropian ka qenë gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve. VLEN doli para qytetarëve me një premtim shumë të qartë: se do ta përshpejtojë rrugën evropiane, se do të sjellë energji të re, dinamikë të re dhe kredibilitet të ri në Bruksel dhe se këtë do ta realizojë brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes së përbashkët me VMRO-në dhe ZNAM-in. Dy vite më vonë, rezultatet janë dëshpëruese. Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit kemi stagnim, në vend të reformave kemi improvizime, ndërsa në vend të agjendës evropiane kemi politikë ditore”, deklaroi Osmani.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, është menaxhuar procesi i zbatimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se vendi ka humbur një mundësi të rëndësishme për përfitimin e fondeve dhe përshpejtimin e reformave.

“Edhe mundësia historike që ofroi Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian ka mbetur kryesisht e pashfrytëzuar. Në vend që shteti të ishte lider në rajon në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane, sot kemi vonesa, realizim të pamjaftueshëm dhe mungesë të vullnetit të mirëfilltë reformues. Por humbjen më të madhe të agjendës evropiane, VLEN ua ka shkaktuar shqiptarëve, votuesve të vet dhe popullit të vet”, u shpreh ai. Osmani iu referua edhe Raportit të fundit të Parlamentit Evropian, duke thënë se dokumenti konfirmon regresin e vendit dhe rikujton rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit për vazhdimin e integrimit evropian.

“Dhe këtë nuk e themi ne. Këtë e thotë Brukseli. Këtë e thotë Parlamenti Evropian, i cili rikujton se rruga drejt Brukselit vazhdon të kalojë përmes Ohrit. Në raportin e tij të fundit konstaton qartë regres dhe kërkon angazhim të ripërtërirë politik për vazhdimin e rrugës evropiane. Ai kërkon respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe paralajmëron se besimi ndëretnik dhe parimi i barazisë nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje. Veçanërisht me rëndësi është fakti se Parlamenti Evropian ka kërkuar që institucionet të garantojnë respektimin e plotë të barazisë gjuhësore. Kur Parlamenti Evropian detyrohet t’i kujtojë institucioneve të këtij shteti që të respektojnë të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve, atëherë kjo është dëshmia më e fortë e dështimit të VLEN-it si përfaqësues politik në Qeveri”, tha Osmani.

Sipas tij, raporti i Parlamentit Evropian ngre shqetësime edhe për ndikimet e jashtme, të cilat, sipas Osmanit, po e largojnë vendin nga orientimi i tij strategjik evropian. Në përfundim, nënkryetari i BDI-së vlerësoi se shqiptarët kanë mbetur pa një përfaqësim të denjë në procesin eurointegrues. “Ky është një dështim i plotë për ne shqiptarët. Ndërkohë që po humbim të drejtat e fituara në shumë fusha, zëri evropian i shqiptarëve në Qeveri është reduktuar në një asgjë të madhe. Dhe kjo ASGJË ka emër. Ai emër është VLEN. Shqiptarët këtë nuk e kanë votuar. Shqiptarët këtë nuk e pranojnë. Dhe në zgjedhjet e ardhshme, sa herë që ato të mbahen, shqiptarët këtë do ta ndryshojnë”, përfundoi Osmani.

MARKETING