(VIDEO) Sali: Partia VLEN pas rikonsturimit do të udhëheq gjashtë ministri
Partia VLEN pas rikonstruimit të paralajmëruar nga kryeministri, do të udhëheq gjashtë ministri. Këtë e konfirmoi sot zëvendës kryeministri Bekim Sali, para nisjes së ceremonisë, në të cilin VLEN tregoi punën e tyre të bërë gjatë këtyre 24 muajëve në pushtet. Sali bëri me dije se VLEN do të marrë ministrinë e Drejtësisë të Igor Filkovit të partisë ZNAM, Ministrinë për Marëdhënie Ndërmjet Bashkësive të Igor Stoilkoviqit dhe Ministrinë e Kulturës që deri tani e ka udhëhequr Zoran Lutkov, i VMRO-DPMNE-së. Ndërsa shtoi se do të mbajnë Ministrinë e Eurointegrimeve, të Ekonomisë dhe të Ambientit Jetësor. Në këtë mënyrë ai la të nënkuptohet se nuk do ta kenë më Ministrinë e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Azir Aliu dhe atë të Ministrisë së Politikës Sociale që udhëhiqet nga Fatmir Limani. Sali nuk tregoi emrat që do të jenë në krye të ministrive të reja që merr VLEN, vetëm konfirmoi se ai do të vazhdoj të udhëheq Ministrinë e Eurointegrimeve.
Bekim Sali, zv/kryeministër
“Në paketin me të cilin VLEN vazhdon qeverisjen, si pjesë e shumicës parlamentare, mbetet Ministria e Ambientit Jetësor, Ministria e Ekonomisë, Drejtësisë, e Eurointegrimeve, Kulturës dhe Ministria e Marëdhënieve në mes Bashëksive, pra janë 6 ministri”.
Partia ZNAM që është më e vogla brenda koalicionit qeverisës një ditë më parë, gjithashtu deklaroi se pas këtij rikonstruimi do të jetë më të fuqishëm në aspektin kadrovik, por nuk treguan ministri që do të marrin ose ndryshojnë dhe as emra ministrash. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se ndryshimet e paralajmëruara në Qeveri do të dihen të martën, pasi VMRO-DPMNE të mbaj takimin e Komitetit Ekzekutiv.
Emine Ismaili /SHENJA/

