(VIDEO) LSDM kërkon hetim për lidhje e Janushevit me një kompani bullgare
Në konferencën e sotme për shtyp para Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit zëdhënësja dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, kërkoi që institucionet të hetojnë pretendimet për lidhjen e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, me një kompani të regjistruar në Bullgari.
Kuzeska deklaroi se opinioni publik ka mësuar për, siç tha ajo, “edhe një skandal serioz” që prek nivelet më të larta të Qeverisë dhe theksoi se, sipas dokumenteve të publikuara në media, Janushev është i lidhur me një firmë në Bullgari.
Sipas saj, në deklaratat e pasurisë që Janushev i ka dorëzuar Antikorrupsionit nuk është përmendur një lidhje e tillë, për çka Komisioni, siç theksoi ajo, duhet menjëherë të hapë një rast dhe të verifikojë të gjitha faktet.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Komisioni Antikorrupsion nuk guxon të jetë një vëzhgues i heshtur i skandaleve të pushtetit. Ai duhet pa vonesë të kërkojë të gjitha dokumentet dhe ta informojë publikun për gjetjet”.
Ajo pyeti nëse Janushev i ka deklaruar të gjitha të dhënat që sipas ligjit ishte i detyruar t’i paraqiste dhe theksoi se, nëse vërtetohet se ka fshehur pjesëmarrje pronësore ose interes biznesi, ai duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
Kuzeska kritikoi edhe VMRO-DPMNE-në, duke e akuzuar partinë në pushtet për standarde të dyfishta në lidhje me politikat ndaj Bullgarisë dhe integrimet evropiane të shtetit. Nga LSDM-ja pyesin gjithashtu nëse Igor Janushev do të japë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë gjatë kohës që do të zhvillohej një hetim i mundshëm.
/SHENJA/

