Rusia pretendon se ndërhyrja perëndimore prishi marrëveshjen e Stambollit të vitit 2022 për Ukrainën

Rusia pretendon se ndërhyrja perëndimore prishi marrëveshjen e Stambollit të vitit 2022 për Ukrainën

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergey Shoygu deklaroi sot se ndërhyrja perëndimore pengoi zbatimin e marrëveshjes së Stambollit të vitit 2022 për Ukrainën, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë dhe Turqisë për ta finalizuar atë, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një takimi në Moskë me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, Shoygu tha se Moska dhe Ankaraja punuan ngushtë për të përgatitur marrëveshjen dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e saj.

“Në atë kohë, marrëveshja e Stambollit u përgatit nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta. Nëse nuk do të ishte ndërhyrja perëndimore, ne do të kishim çdo mundësi për ta përfunduar këtë punë”, tha Shoygu.

Ai akuzoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për dështimin në përmbushjen e angazhimeve në lidhje me iniciativën e grurit të Detit të Zi.

“Rusia dhe Turqia i përmbushën plotësisht detyrimet e tyre. I vetmi pjesëmarrës që dështoi në përmbushjen e angazhimeve që kishte ndërmarrë ishte pala e tretë e marrëveshjes”, tha Shoygu duke iu referuar OKB-së dhe Guterres.

Zyrtari rus theksoi atë që ai e përshkroi si një histori bashkëpunimi produktiv midis Moskës dhe Ankarasë në një sërë çështjesh.

Ai potencoi përpjekjet e përbashkëta në Siri, përfshirë krijimin e zonave të deeskalimit dhe operacionet kundër terrorizmit, duke thënë se të dy vendet kanë gjetur vazhdimisht zgjidhje të pranueshme reciprokisht pavarësisht rrethanave të vështira.

Shoygu përmendi bashkëpunimin në çështjet që lidhen me Ukrainën, përfshirë kthimin e anijeve turke nga portet ukrainase. Ai propozon të diskutohen sfidat aktuale me të cilat përballen të dy vendet, duke thënë se ndonëse disa çështje të vjetra mbeten, kanë lindur mundësi të reja për bashkëpunim.

MARKETING