Terras: Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, në seancën plenare kushtuar Ballkanit Perëndimor ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) mbetet instrumenti më i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, si dhe ka bërë thirrje që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat, transmeton Anadolu.
Terras e cilësoi si mjaft domethënëse debatin për Ballkanin Perëndimor derisa tha se secili vend i këtij rajoni meriton diskutim në vete.
Duke folur për Kosovën, Terras tha se avancimi i saj drejt integrimit evropian duhet të mbetet prioritet.
“Si raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat. Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe që mbështetja e lartë publike për integrimin evropian të vazhdojë”, tha ai.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku tha se viti i fundit ka qenë politikisht mjaft i vështirë për Kosovën.
“Në pak më shumë se një vit, janë zhvilluar tri zgjedhje parlamentare dhe zgjedhjet lokale. Vendi ka qenë në një modë të përhershme fushate zgjedhore. Edhe pse kjo është një shenjë e qartë e një demokracie të gjallë që funksionon në Kosovë, është e qartë se është e vështirë të ushtrohet pushteti legjislativ dhe ekzekutiv në një regjim të tillë të vazhdueshëm fushate”, tha ai.
Sipas tij, megjithëse situata politike ka qenë sfiduese, janë arritur disa rezultate konkrete, por mbeten disa fusha ku nevojitet më shumë punë.
Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Terras nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të tij dhe të ruajtjes së perspektivës evropiane për Kosovën.
“Dialogu Beograd-Prishtinë ka ngecur prej kohësh për shkak të bllokadës politike. Që ky proces i rëndësishëm strategjik të vazhdojë, përveç vullnetit politik, nevojiten një qeveri funksionale dhe një mandat i qartë. Sfidat me të cilat përballet Kosova janë serioze, por populli i Kosovës është qartazi shumë pro-evropian. Detyra jonë është të ruajmë perspektivën për ta dhe t’i ndihmojmë ata të afrohen më shumë drejt anëtarësimit në BE”, shtoi ai.

