Merz: Trump informoi G7-tën për marrëveshjen SHBA-Iran, liderët e mirëpritën atë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përgëzuar presidentin amerikan, Donald Trump, për marrëveshjen kornizë të arritur me Iranin dhe ka theksuar se partnerët evropianë janë të gatshëm të ndihmojnë për të siguruar suksesin e saj, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në margjinat e samitit të G7 në Evian të Francës, Merz tha se Trump i kishte informuar liderët për detajet e marrëveshjes SHBA-Iran dhe se ata kishin shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit.
“Ne, si partnerë të G7-tës, e kemi mirëpritur fuqishëm këtë marrëveshje. Ajo hap një mundësi të madhe për më shumë stabilitet në rajon dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë globale. E sigurova presidentin Trump se ne duam të japim kontributin tonë për të garantuar që paqja të ketë sukses”, tha Merz.
Merz theksoi se rënia e ndjeshme e çmimeve të naftës dhe rritja e tregjeve globale të aksioneve pas shpalljes së marrëveshjes janë shenja të qarta se ajo tashmë po sjell përfitime konkrete dhe po gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
“Tani duhet të kalojmë shpejt në fazën e dytë të negociatave. Në veçanti, Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet shpejt dhe pa kufizime”, tha Merz, duke shtuar se të gjitha elementet e marrëveshjes, përfshirë ato që lidhen me Libanin, duhet tani të zbatohen plotësisht dhe të respektohen nga të gjitha palët.
Merz tha se liderët e G7-tës, së bashku me krerët e shteteve të ftuara nga Egjipti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndajnë të njëjtin qëndrim dhe shprehën mirënjohje ndaj Trumpit për këtë përparim.

