Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë pushtimin e territoreve në jug të Libanit pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran

Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë pushtimin e territoreve në jug të Libanit pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të vazhdojë të pushtojë territore në jug të Libanit pavarësisht marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit që synon t’i japë fund konfliktit midis Washingtonit dhe Teheranit, transmeton Anadolu.

Në komentet e tij të para publike mbi memorandumin e mirëkuptimit të arritur midis SHBA-së dhe Iranit, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë të mbajë trupa në atë që ai e quajti “zonë sigurie” për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Ne kemi krijuar zona të përforcuara sigurie rreth Izraelit. Këtë e bëmë në Gaza, Liban dhe Siri dhe do të qëndrojmë në këto zona sigurie për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur vendin tonë”, tha ai në një konferencë për media.

“Sa i përket Libanit, ne krijuam një zonë tampon, një zonë sigurie dhe do të qëndrojmë atje për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ai.

Netanyahu pretendoi se Irani ka kërkuar tërheqjen e Izraelit nga këto zona, por “kjo nuk ndodhi”, duke shtuar se beson se “miqtë tanë amerikanë e respektojnë këtë”.

Ai tha gjithashtu se Izraeli ende nuk i njeh kushtet e sakta të memorandumit të arritur midis Washingtonit dhe Teheranit.

“Ne ende nuk e dimë se si do të duket marrëveshja midis Washingtonit dhe Teheranit”, tha Netanyahu.

Kryeministri izraelit pretendoi se rrëzimi i regjimit iranian nuk ishte një nga objektivat e luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.

“Unë nuk kam thënë se një nga objektivat e operacionit ishte rrëzimi i regjimit”, tha ai, duke pretenduar se qëllimi ishte “të krijoheshin kushtet” që mund të çonin në rrëzimin e tij.

Dje, SHBA-ja dhe Irani, me ndërmjetësimin e Pakistanit, njoftuan se kishin arritur një memorandum mirëkuptimi që synon t’i japë fund konfliktit që filloi pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt. Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.

Memorandumi pritet të formalizojë një armëpushim dhe të nisë një periudhë 60-ditore të negociatave teknike midis Washingtonit dhe Teheranit për zbatimin e dispozitave të tij.

MARKETING