Presidenti Iranian: Memorandumi për përfundimin e luftës mund të bëhet burim krenarie kombëtare
Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se memorandumi që synon t’i japë fund konfliktit midis Iranit dhe SHBA-së mund të bëhet burim krenarie kombëtare nëse të gjitha dispozitat e memorandumit zbatohen plotësisht, transmeton Anadolu.
Duke folur në margjinat e një konference kombëtare për qeverisjen në Teheran, Pezeshkian tha se marrëveshja mund të ndihmojë në zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura dhe të hapë rrugën për kushte të reja në Iran dhe në të gjithë rajonin.
“Nëse të gjitha dispozitat e këtij memorandumi zbatohen siç duhet, ai do të konsiderohet si një burim krenarie për vendin”, tha ai.
Pezeshkian e përshkroi memorandumin si një arritje jo vetëm për Iranin, por edhe për rajonin më të gjerë dhe për atë që ai e quajti “forcat e rezistencës”.
Ai tha se detajet e marrëveshjes do të publikohen në kohën e duhur dhe theksoi se më shumë se 90 për qind e anëtarëve të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit e kanë mbështetur atë.
Presidenti Iranian shtoi se ekipi negociator iranian do të vazhdojë punën e tij brenda kornizës së përcaktuar nga udhëheqja e vendit.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Pezeshkian tha se autoritetet kanë rënë dakord që memorandumi për përfundimin e luftës të nënshkruhet të premten.
Ai gjithashtu falënderoi kryeparlamentarin Mohammad Bagher Ghalibaf, kryediplomatin Abbas Araghchi, anëtarët e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në negociata.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga fundi i muajit shkurt, pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, duke vrarë më shumë se 3.000 njerëz. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj vendeve të Gjirit dhe Izraelit, si dhe me kufizime ndaj kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Washingtoni dhe Teherani arritën një armëpushim të përkohshëm më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, përpara se të njoftonin një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund konfliktit. Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht në Zvicër më 19 korrik.

