Lidhja Shqiptare: Qendra e re Klinike të jetë prioritet kombëtar, jo projekt në letër
Lidhja Shqiptare vlerëson se ndërtimi i Qendrës së re Klinike në Shkup duhet të trajtohet si prioritet kombëtar dhe projekt strategjik në interes të qytetarëve.
Sipas kësaj partie, për më shumë se dy dekada është diskutuar për ndërtimin e kompleksit të ri klinik, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar mbi 10 milionë euro për studime, projekte, analiza dhe ekipe projektuese. Lidhja Shqiptare thekson se pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2018, shteti u përball edhe me procese arbitrazhi ndërkombëtar, me kërkesa që, sipas tyre, arrijnë deri në 45,5 milionë euro për projektet në Shkup dhe Shtip.
Nga partia theksojnë se, pavarësisht shpenzimeve dhe diskutimeve shumëvjeçare, pacientët dhe personeli shëndetësor vazhdojnë të trajtohen dhe të punojnë në objekte që i konsiderojnë të amortizuara dhe të papërshtatshme për nevojat e mjekësisë moderne.
Lidhja Shqiptare i referohet edhe propozimit të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në lokacionin pranë Arenës “Boris Trajkovski”, me lidhje nëntokësore me Spitalin “8 Shtatori”. Sipas tyre, ky propozim meriton debat profesional dhe publik.
“Një gjë është e padiskutueshme: Maqedonia nuk ka më kohë për projekte në letër. Qendra e re Klinike duhet të jetë prioritet kombëtar dhe projekt strategjik, i realizuar me konsensus dhe në interes të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.

