Saveski: Nuk ka asgjë problematike pse më ka telefonuar Mickoski, pavarësia jonë është e garantuar me Kushtetutë
Prokurori i Përgjithshëm Nenad Saveski deklaroi sot se mbetet në qëndrimin e tij për të mos komentuar deklarata politike, ndërsa në lidhje me komunikimin telefonik nga ana e kryeministrit, vlerëson se nuk ka asgjë problematike dhe se kjo nuk e cenon pavarësinë dhe autonominë e Prokurorisë Publike.
Ai rikujtoi se tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij për këtë çështje që ka shkaktuar reagime në opinion, si dhe për vetë arsyen e thirrjes telefonike të kryeministrit ndërprerjen e hetimit për rastin “Mazut” nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Saveski theksoi se, edhe pse nuk është e qartë sa është në kompetencë të kryeministrit të kontaktojë prokurorin publik, “çdokush ka të drejtë të më telefonojë, dhe këtë e ka bërë edhe kryeministri, pra kreu i Qeverisë, dhe këtu nuk ka asgjë problematike”.
Ai shtoi se gjithmonë është angazhuar për komunikim ndërinstitucional, pasi e konsideron të domosdoshëm për arritjen e rezultateve.
“Pavarësia është e padiskutueshme dhe është e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligjet themelore mbi të cilat vepron Prokuroria Publike. Prandaj, çdo reagim nuk mund ta konsideroj si ndikim mbi mua në marrjen e vendimeve apo në veprimet e përditshme,” deklaroi Saveski pas seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

