Nikolloski: Lidhja hekurudhore me Bullgarinë do të përfundojë deri në vitin 2031
Ndërtimi i segmentit të dytë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në pjesën Belljakovcë – Kriva Pallankë, po vijon me progres prej rreth 36 për qind, bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ai tha gjatë inspektimit të punimeve në Korridorin 8 se e gjithë linja hekurudhore me Bullgarinë pritet të përfundojë deri në vitin 2031.
Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt kompleks 34 kilometra të gjatë, ku po ndërtohen ura, tunele dhe objekte të shumta infrastrukturore, ndërsa linja është e projektuar për shpejtësi deri në 120 km/orë.
Nikolloski theksoi se pas këtij segmenti do të vijojë ndërtimi i pjesës së tretë drejt kufirit me Bullgarinë, me synim përfundimin e plotë të lidhjes hekurudhore brenda vitit 2031.
Ai shtoi se projekti është pjesë e Korridorit 8, i cili ka rëndësi strategjike për rajonin dhe lidh Detin Adriatik me Detin e Zi.

