Sekuestrohen 312 puro kontrabandë në Tabanoc, kallëzim penal ndaj shoferit të autobusit
Një sasi e madhe purosh me vlerë rreth 4 mijë euro është sekuestruar nga ekipet mobile të Drejtorisë së Doganave gjatë një kontrolli të detajuar të një autobusi në pikën kufitare Tabanoc.
Siç njoftojnë autoritetet doganore, kundër shtetasit të Maqedonisë së Veriut, K.B., është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kumanovës për veprën penale të kontrabandës, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal. I dyshuari është shofer autobusi, i punësuar në një kompani që merret me transport ndërkombëtar rrugor.
Autobusi u ndalua për kontroll të hollësishëm nga ekipi doganor mobil pas dyshimeve të ngritura gjatë procedurës së rregullt kufitare. Gjatë kontrollit, nën ulëse dhe në një zgavër të fabrikuar të autobusit u zbuluan gjithsej 312 puro të prodhuesve të ndryshëm.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, detyrimet e papaguara ndaj shtetit arrijnë në rreth 174.900 denarë.
Produktet e akcizës që ishin objekt i tentativës për kontrabandë janë sekuestruar, ndërsa me urdhër të Prokurorisë Publike të Kumanovës do t’i dorëzohen Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar.
Nga Drejtoria e Doganave theksojnë se kontrollet e intensifikuara në pikat kufitare do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të akcizës, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, ruajtjen e shëndetit publik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

