ASH: Inaugurimi i institucionit me tabelë vetëm në maqedonisht është shkelje e ligjit

ASH: Inaugurimi i institucionit me tabelë vetëm në maqedonisht është shkelje e ligjit
DCIM100MEDIADJI_0484.JPG

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me inaugurimin e një institucioni publik, në të cilin tabela zyrtare ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, siç shihet në videon e publikuar gjatë ditës së sotme.

Nga kjo parti vlerësojnë se nuk bëhet fjalë për një gabim teknik, por për një shkelje të hapur të ligjit dhe përjashtim të gjuhës shqipe nga hapësira publike.

“Ky nuk është gabim teknik. Është shkelje e hapur e ligjit, përjashtim i gjuhës shqipe nga hapësira publike dhe fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia konsideron se ministri Azir Aliu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale për këtë rast. Sipas tyre, si përfaqësues i Qeverisë, ai ka detyrimin të sigurojë zbatimin e ligjit dhe respektimin e standardeve të dygjuhësisë në institucionet publike që lidhen me resorin që drejton.

“Pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni, pa reagim dhe pa kërkuar respektimin e gjuhës shqipe, nuk është neutralitet. Është miratim i heshtur i një shkeljeje të dukshme”, theksojnë nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që tabela aktuale të hiqet menjëherë dhe të zëvendësohet me një emërtim zyrtar dygjuhësh, në përputhje me dispozitat ligjore.

Njëkohësisht, partia kërkon nga ministri Aliu të japë sqarime publike se si u lejua inaugurimi i një institucioni publik ku, sipas tyre, gjuha shqipe është injoruar plotësisht.

ASH i bën thirrje edhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve që të ndërmarrë masa urgjente ndaj zyrtarëve përgjegjës për këtë shkelje.

“Gjuha shqipe në institucionet publike nuk është privilegj që varet nga vullneti politik i ministrave apo partnerëve të koalicionit. Është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet të respektohet pa kompromis”, thuhet në reagimin e partisë.

MARKETING