(VIDEO) Paraburgim për një burrë nga shkupi, rrahu gruan dhe nënën e saj
Prokuroria Publike ka filluar procedurë kundër një burri 36-vjeçar për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer vepra penale – Lëndim trupor dhe Shkaktim rreziku të përgjithshëm.
Mbrëmë rreth mesnatës, në shtëpinë familjare në Shkup, i dyshuari kreu dhunë në familje dhe lëndoi fizikisht gruan e tij dhe nënën e saj.
PROKURORIA
“Me qëllim që t’i frikësonte, i dyshuari filloi të bërtiste dhe të kërcënonte gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 6 dhe 4 vjeç. Kur e dëmtuara kërkoi të ndalonte, ai e kapi për krahu dhe e shtyu, duke i shkaktuar lëndime trupore”.
Prokuroria sqaron se më pas i dyshuari ka nis të thyejë mobiljet dhe e ka qëlluar me një shkop nënën e gruas së tij, të cilën e ka lënduar fizikisht në këmbë dhe gjoks.
PROKURORIA
“Ai kërcënoi se do t’i vriste të gjithë, përfshirë edhe mbytjen e fëmijës së tij, me ç’rast nxori edhe një thikë dhe e tundi atë, duke shkaktuar ndjenjë kërcënimi, pasigurie dhe frike tek e dëmtuara”.
Gruaja arriti t’i telefononte vëllait dhe babait të saj në telefon. I dyshuari vazhdoi t’i kërcënonte me thikë, dhe në ndërkohë e lëshoi në oborr edhe qenin e tij të racës së Sharrit, i cili kafshoi njërin prej të dëmtuarve në pjesën e sipërme të krahut dhe pjesën e poshtme të këmbës, duke i shkaktuar dëmtime trupore – plagë kafshimi.
Duke marrë parasysh të gjitha veprimet e të dyshuarit, rrethanat që tregojnë qartë rrezik ikjeje, si dhe frikën se ai mund t’i përsërisë aktet e dhunës në familje, prokurori publik i propozoi gjykatësit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit. /SHENJA/

