(VIDEO) Sfidat dhe të arriturat e OEMVP-së në dy dekada

(VIDEO) Sfidat dhe të arriturat e OEMVP-së në dy dekada

 

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore ka organizuar panel-diskutim ku u diskutuan sfidat po edhe të arriturat e këtij institucioni në këto dy dekada. Kryetari i nderit të OEMVP-së, Xhemail Dauti në këtë panel foli për procesin problematik të privatizimit, proces nga i cili sipas Dautit, të dëmtuar mbetën shqiptarët. Foli edhe për një analizë të kryer të Odës në bashkëpunim me akademik, Izet Zeqirin.

XHEMAIL DAUTI, KRYETAR NDERI I OEMVP-së

Popullata shqiptare u përjashtua komplet nga procesi i privatizimit. Një analizë të cilin e kemi bërë tek Oda së bashku me profesor Izet Zeqirin, ai koncepti i privatizimit ishte kriminogjen, po ishte aty kur thotë popullata kur do të kafshosh shumë, të mbetet në fyt dhe rezultatet dolën që nga kompanitë e privatizuara, vetëm dy përqind janë ekzistuese, pjesa tjetër falimentoi”.

Akademik Izet Zeqiri tha se një nga sfidat është mungesa e fuqisë punëtore dhe sipas tij, zgjidhja do të ishte rikthimi i fuqisë punëtore nga mërgata. Por, sipas Zeqirit kthimi i tyre do të ishte i mundur vetëm në rast se rriten rrogat. Veç tjerash, akademik Zeqiri kishte kritika edhe për mënyrën e menaxhimit të kompanive.

IZET ZEQIRI – AKADEMIK

Menaxhimi i kompanive tona bëhet në bazë laike, në bazë të supozimeve se menaxherët, janë boll të mençur, mirëpo konkurenca agresive, kërkon që menaxhimi të jetë në parime shkencore. Elementi tjetër është ekonomia e gjelbër që është një sfidë. Gjithnjë ka qenë lufta në mes ekonomisë dhe ekologjisë. Ekonomia ka kërkuar prodhim dhe ka kërkuar shërbime, kurse ekologjia ka kërkuar mbrojtje të mjedisit”.

Pjesë e panelit ishte edhe Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve i cili përshëndeti faktin se nga OEMVP-ja, kanë dalë edhe figura që sot udhëheqin komuna duke marrë shembull komunën e Strugës. Sipas tij, hapi i radhës që duhet të ndërmerret nga OEMVP-ja duhet të jetë shtrirja e zyrave në nivel lokal.

AGIM SHAHINI – AKB

Do të ju sugjeroja që të shtriheni në nivel lokal në të gjitha regjionet e RMV-së. Duke përfshirë problemet lokale të bizneseve dhe derisa ato të vijnë në nivel qendror, gjatë rrugëtimit ato bëhen të mërzitshme, marrin kohë dhe Oda e roli i Odës është që ti përshpejtojë ato. Odat duhet të jenë gjithnjë partner institucional, pavarësisht kush është në Qeveri, duhet të jetë partner dhe nuk duhet të ketë muri në mes”.

Në fund të panelit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore ndau edhe mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët me të cilat ka bashkëpunuar gjatë gjithë këtij rrugëtimi dy dekadësh.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING