Mexhiti: Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe mbi Sheshin “Skënderbeu”
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se Komuna e Çairit po nis procedurat për realizimin e një projekti të rëndësishëm kulturor – transformimin e hapësirës mbi Sheshin “Skënderbeu” në Bibliotekën Shqipe.
Biblioteka e re do të jetë një hapësirë moderne, e dedikuar për nxënësit, studentët, studiuesit dhe të gjithë qytetarët, duke krijuar kushte të reja për lexim, mësim, kërkim dhe zhvillim kulturor.
“Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe. Po nisim procedurën për transformimin e hapësirës mbi Sheshin ‘Skënderbeu’ në një bibliotekë moderne, të hapur për nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët. Kjo do të jetë një shtëpi e dijes dhe kulturës në zemër të Çairit,” u shpreh Mexhiti.
Njoftimi u bë në kuadër të aktivitetit kushtuar akademikut Rexhep Qosja, ku u theksua rëndësia e librit, dijes dhe kulturës në zhvillimin e shoqërisë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

