Mickoski: Ndërtimaria është një nga kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e PBB-së
Ndërtimtaria është një nga kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e Prodhimit të brendshëm bruto (PBB), theksoi sot kryeministri, Hristijan Mickoski, i cili po përgjigjej në pyetjen e gazetarëve në lidhje me takimin e djeshëm me përfaqësues të sektorit të ndërtimit dhe sa ndikon kjo degë në PBB-në.
Kryeministri Mickoski theksoi se është i kënaqur që PBB-ja me vlera të harmonizuara është 3,3 për qind, dhe siç tha, është e katërta në Evropë.
“Jam i kënaqur që PBB-ja me vlera të harmonizuara është 3,3 për qind dhe aktualisht është e katërta në Evropë, sipas të dhënave që janë publikuar, si përqindje e PBB-së – e tërë kjo për të gjithë ata që tjerrin, siç edhe në të vërtetë kanë bërë më herët. Jam i kënaqur, sepse për tremujorin e shtatë radhazi ne jemi mesatare diku rreth 3,4 në kushte kur partneri ynë më i madh tregtar, që është Bashkimi Evropian, është nën një për qind”, deklaroi Mickoski.
Ai e konsideron këtë si rezultat jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë.
Kryetari i Qeverisë, Mickoski, para tre ditëve në konferencë për shtyp tha se të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se për të shtatin tremujor radhazi, Qeveria ka arritur rritje të PBB-së, e cila është fillimisht në gjysmën e parë të Evropës, e pastaj edhe në pesë vendet e para në Evropë. Ai kujtoi se ky nuk është tregues i publikuar nga Qeveria, por parametër i publikuar nga Eurostat.
Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistika, në prill të këtij viti, prodhimi industrial u rrit me plot 7,6 për qind krahasuar me prillin e vitit të kaluar, dhe siç tha Mickoski, “me këtë në katër muajt e parë të vitit, në tremujorin e parë 2026, si rrallë ndonjë vend tjetër në Evropë, kemi prodhim industrial që është pozitiv”. Lidhur me vendet e reja të punës, të krijuara në 21 muajt e parë të punës së Qeverisë, të dhënat tregojnë se ka 16.000 vende të reja pune.

