(VIDEO) Hapet Panairi i Librit në sheshin Skënderbeu në Shkup

(VIDEO) Hapet Panairi i Librit në sheshin Skënderbeu në Shkup

Nën moton ‘Gjuha jonë sa e mirë’ në sheshin’Skënderbeu’ në Shkup u hap Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për lexuesit, autorët, botuesit dhe të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe.

Ky panair mblodhi qindra njerëz në Sheshin Skëndërbe nga ku dhe pritet që ky panair të mbledhë 55 botues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, ku madje në ditën e fundit të këtij panairi do të ndahen edhe çmime letrare. Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Irena Toçi, njëherësh bashkëorganizatore e panairit, në fjalën e saj tha se kjo ngjarje është ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore që instituti ka zhvilluar.

Sinkron: Irena Toçi, botuese

“Panairi i librit të Tiranës, Kosovës, Prishtinës, panairi i librit këtu në Shkup dhe panairi i Ulqinit përbën një mozaik panairesh që tregon fuqinë e gjuhës sonë të librit tonë, të botuesve tanë. Të gjithë bashkë do t’ia dalim do ta mbrojmë këtë gjuhë dhe do ta çojmë në nivele të tjera. Instituti i librit dhe i promocionit së bashku me komunën vendosën që këtë panair ta kthejnë në një traditë, dhe sigurisht se do të bëhet, falë edhe vullnetit tuaj për të na ndjekur.”

Ndërkohë akademiku Ali Aliu, në fjalën e tij përshëndetëse, e vlerësoi hapjen e këtij panairi si një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare.

Sinkron: Ali Aliu, akademik 

“I nderuar romancieri i shquar tha që është çast historik është vërtetë çast historik se i mungonte një panair I tillë, I mungonte panairi i librit Shkupit që tash do të jetë në shoqëri të barabartë me panairin ndërkombëtar të Tiranës dhe të Prishtinës, një trekëndësh në hapësirën shqiptare që do të komunikojë përmes librit. Unë uroj që këtë manifestim ta duam të gjithë ta dëshirojmë si diçka të rëndësishme sot dhe ta kultivojmë dhe ta duam”.

Ndërkaq kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në fjalën e tij thekson se sot është një ditë e veçantë për kulturën shqiptare.

Sinkron: Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Çairit

“Ky panair përveç se është një ngjarje e madhe kulturore është dëshmi se gjuha shqipe vazhdon të jetojë, të krijojë dhe të pasurohet. Libri është kujtesë por është edhe vizion. Ai na meson se popujt ecin përpara kur lexojnë kur pyesin kur mendojjnë dhe kur krijojnë. Një shoqëri që lexon është një shoqëri që di të ndërtojë edhe të ardhmen e saj, prandaj le të jetë ky panair një vendtakim për idetë për kulturat shqipe dhe për dialogun”

Mexhiti deklaroi se kjo ngjarje do të kthehet në një traditë të përhershme kulturore që do të rritet vit pas viti. Tutje ai thotë se në historinë tonë libri ka qenë një nga shtyllat më të forta për identitetin që nga meshari i xhon buzukut, Gjergj Fishtës, Migjenit, Ismail Kadaresë, dhe në secilën prej veprave gjendet një pjesë e shpirtit të kombit tonë, një pjesë e historisë sonë dhe një pjesë e së ardhmes që kemi luftuar për të.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING