Studentët e Kosovës protestojnë të premten në mbështetje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut
Studentët e Kosovës kanë njoftuar se më 5 qershor do të organizojnë një protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Protesta do të nisë në ora 14:00 dhe ka për qëllim të shprehë mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore.
Organizatorët thonë se gjuha shqipe është një e drejtë e garantuar dhe duhet të përdoret në të gjitha institucionet dhe procedurat shtetërore. Ata theksojnë se protesta do të jetë paqësore dhe synon të dërgojë një mesazh solidariteti me studentët shqiptarë.
Përmes një thirrjeje publike, ata kanë ftuar studentët, organizatat studentore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës.
Kjo protestë vjen pas tubimeve të ngjashme që janë mbajtur në Shkup dhe Tiranë, ndërsa çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ngjallë reagime të shumta.

