ASH: Derisa Evropa flet qartë, VLEN hesht
Aleanca për Shqiptarët (ASH) vlerëson se deklarata e Presidentit të António Costa ishte e qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike, duke theksuar se çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet në tërësi.
Në një reagim publik, ASH thotë se qëndrimi i Brukselit rrëzon arsyetimet e deritanishme të Qeverisë lidhur me procesin e integrimit evropian dhe, sipas tyre, nxjerr në pah dështimin politik të koalicionit VLEN, i cili kishte premtuar realizimin e ndryshimeve kushtetuese brenda gjashtëmujorit të parë të qeverisjes.
Sipas ASH-së, deklarata e Costas konfirmon se hapja reale e negociatave me Bashkimi Evropian nuk mund të ndodhë pa zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të dakorduara më herët.
Partia kritikon edhe heshtjen e VLEN-it pas kësaj deklarate, duke e cilësuar atë si shenjë pafuqie politike dhe tërheqje nga premtimet e bëra ndaj elektoratit shqiptar. Sipas tyre, VLEN, si pjesë e pushtetit, mban përgjegjësi për vendimmarrjen qeveritare dhe për ngadalësimin e procesit integrues.
ASH kërkon që VLEN t’i rikthehet marrëveshjes bazë politike dhe të angazhohet për nisjen e procedurës së ndryshimeve kushtetuese. Nga kjo parti theksojnë se qytetarët shqiptarë nuk kanë dhënë mbështetje që përfaqësuesit e tyre të bëhen, siç shprehen ata, “mburojë e bllokadës” apo “dekor i një qeverie që po e mban vendin larg Bashkimit Evropian”.

