Mbi Shpalosjen e Qytetërimit të Urtësisë dhe Virtytit

Mbi Shpalosjen e Qytetërimit të Urtësisë dhe Virtytit

Shkruan: Burhanettin KAPUSUZOĞLU

Pavarësisht të gjitha vështirësive dhe peripecive që forca njerëzore nuk mund t’i përballojë, ne jemi anëtarë të një qytetërimi që mban mbi supet e tij një kujtim të lodhur, por ende të gjallë të historisë dhe fatit. Në një gjeografi që për ne ka qenë fat dhe bekim, jemi trashëgimtarë të një vetëdijeje të madhe që e vlerëson ndërgjegjen, urtësinë, edukatën dhe njeriun si krijesën më të nderuar të Zotit.

Për këtë arsye, për ne, qytetërimi, nuk është thjesht kujtimi i periudhave madhështore e së kaluarës, si një shprehje e rrënjëve të ekzistencës sonë, por është manifestimi historik i një bashkësie morale të ndërtuar mbi të vërtetën.

Ndërkohë qytetërimi ynë, ka ndërtuar dhe zhvilluar vendbanime duke përmirësuar kushtet e jetës së njerëzve, është shfaqur si një reflektim i orientuar drejt moralit në arkitekturë, letërsi dhe në forma të ndryshme shprehjeje që e zbukurojnë jetën e përditshme. Është forma e një vendbanimi, qoftë fshat, qytezë apo qytet, ku etika, baraspesha dhe estetika kanë gjetur ekuilibrin e tyre të përsosur.

Kushti themelor për të jetuar, qëndruar dhe mbijetuar së bashku është rendi. Prandaj, ekzistenca e shtetit bëhet e domosdoshme. Edhe shteti, si një rend gjithëpërfshirës, falë ndikimit të qytetërimit është shndërruar në bartës të amanetit, drejtësisë, shërbimit dhe përgjegjësisë në çdo fushë të jetës, duke marrë rolin e një “babai” mbrojtës.

Pra, në këtë klimë qytetëruese, dija nuk kufizohet vetëm në shkencat, teknikat dhe njohuritë praktike, por përfshin edhe përpjekjen e njeriut për të kuptuar vetveten, botën dhe ekzistencën. Sepse, nëse njeriu nuk e njeh veten, nuk e kupton të vërtetën dhe nëse nuk arrin ta përjetojë plotësisht rolin e tij si qenie njerëzore dhe shërbëtor i Zotit, ai rrjedhimisht do të humbas, identitetin e vet, do të tjetërsohet dhe detyrimisht fillon ta lexojë gabimisht botën. Fundi i një gjendjeje të tillë, larg qytetërimit të vërtetë, është dështimi dhe humbja.

Në të vërtetë, njerëzimi po ecën drejt një revolucioni të madh teknologjik, por njëkohësisht po përballet me një krizë të thellë ontologjike. Në këtë kaos, të kohës moderne, qytetërimi ka filluar të humbasë qendrën e saj morale dhe ndjeshmërinë shpirtërore. Gjersa në njërë anë, informacioni dhe njohuritë po shtohen vazhdimisht, urtësia po zhbëhet. Edhe pse ritmi i komunikimit është bërë i jashtëzakonshëm, zemrat dhe shpirtrat e njerëzve po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri.

Përballë madhështisë glorifikuese, ku në rritje marramendëse janë qyteteve moderne, bota e brendshme e njeriut është ngushtuar, ndërsa horizonti i tij mendor po tkurret.
Format e pushtetit janë në rritje shqetësuese, ku në anën tjetër shkaku i egoizmit dhe ngushtësisë shpirtërore, po dobësohen drejtësia dhe mëshira.

Zbulimet e reja janë të llojllojshme edhe në format e saj si strukturë e formë, por edhe në aspekt teknologjik, ku njëra ndër arsyet kryesore të kësaj krize alarmante, në këtë kohë moderne, me këto ndryshime drastike teknologjike, vjen si pasojë e asaj, se kuptimi i jetës është lënë në harresë. Midis ciklit të pandërprerë të prodhimit dhe konsumit, shpirti i njeriut është neglizhuar, ndërsa kjo gjendje e ka zhytur apo shtyrë njerëzimin, në një krizë të thellë ekzistenciale.

Në ndërkohë derisa njerëzimi, ballafaqohet dhe përballet me problemet ekonomike, në anën tjetër po përjeton edhe një shpërbërje të thellë morale. Duket sikur edukata dhe sjellja e mirë po largohen nga shoqëria. Hedonizmi ka arritur përmasa shqetësuese. Dëshira për t’u shfaqur dhe për t’u ekspozuar, diku e përzier edhe me mendjemadhësi, ka zënë vendin e së vërtetës, dhe po e pengon shfaqjen e saj. Teksa njeriu dhe njerëzimi po dështojnë në provën e edukatës dhe moralit, edhe respekti dhe dinjiteti po tkurren nga skena shoqërore.

Për të gjetur shërim nga kjo gjendje, nevojitet një revolucion i ri moral. Mirëpo ky transformim mund të realizohet vetëm përmes karakterit të fortë, personalitetit të lartë, dijes së dobishme, punës së vazhdueshme dhe besnikërisë ndaj moralit dhe të vërtetës në çdo rrethanë.

Për ne, puna dhe përpjekja nuk janë vetëm një aktivitet ekonomik për të mos qenë të varur nga të tjerët, por edhe një përgjegjësi morale, madje një formë adhurimi. Nëse puna është virtyt, atëherë dembelizmi është një dobësi individuale dhe një qëndrim që dëmton qytetërimin dhe njerëzimin. Mendimi që nuk prodhon punë dhe vepra, nuk mund të prodhojë as ide të reja. Një mendim i tillë nxjerr përfundime të shpejta dhe sipërfaqësore.

Prandaj, brezat e rinj duhet të formohen jo vetëm si profesionistë, por edhe si njerëz me urtësi dhe karakter të lartë. Pikërisht në këtë pikë, universitetet: si qendra ku përgatitet potenciali njerëzor i shoqërisë; nuk duhet të kufizohen vetëm në dhënien e diplomave, por duhet të kultivojnë edhe mendimin kritik, urtësinë dhe ndërgjegjen që ruan dinjitetin njerëzor.

Tashmë është hapur një epokë e re, dhe ajo ka përfshirë e ndikuar çdo individ dhe çdo shoqëri. Inteligjenca artificiale, bioteknologjia, korridoret energjetike, kultura digjitale dhe kufijtë që pothuajse po zhduken, në mënyrë faktike, po e riformësojnë njerëzimin.

Në këtë kohë të sfidave të mëdha, ne nuk duhet të mbetemi të hutuar në udhëkryqin e pyetjeve dhe problemeve. Rruga është e hapur, por që udhëtari të arrijë destinacionin e tij, duhet të mos ketë pengesa në rrugën e të kuptuarit dhe të vetëdijes.

Nuk mund të jemi vetëm konsumues të epokës sonë. Përndryshe, do të shndërrohemi në subjekte të qeverisura dhe të shfrytëzuara nga fuqitë dominuese që ndërtojnë rendin e botës. Një modernitet i shkëputur nga tradita, humbë lidhjen me realitetin dhe nuk arrin të shprehë zërin e vet autentik. Shoqëritë që arrijnë të rikonceptojnë mendimin e tyre, të ndërtojnë etikën e tyre shkencore, gjuhën e tyre estetike dhe vizionin e tyre qytetërues, bëhen subjekte të së ardhmes.

Për këtë arsye, fuqia për të cilën kemi nevojë, qëndron në thelbin e urtësisë, përqendrimin në dije dhe këmbënguljen në prodhim e inovacion. Mbase qytetërimet ndërtohen nga teknologjia e avancuar dhe nga shpirtra të mëdhenj me karakter të fortë.

Njerëzit fisnikë, të cilët ushqehen nga rrënjët e tyre shpirtërore dhe i japin kuptim jetës përmes moralit që kanë në besim, largohen nga shfaqja dhe kotësia, sepse të tjerët i fitojnë, përmes edukatës, durimit, reflektimit dhe besimit ndaj të vërtetës.

Populli ynë, duke u mbështetur në trashëgiminë e ekuilibruar dhe të zellshëm të traditës së Ehli Sunetit, e ka pasuruar dhe dizajnuar këtë trashëgimi gjatë shekujve, përmes përvojës së tij shtetformuese dhe perandorake. Në thelb, kjo lidhje nuk është shfaqur si fanatizëm i ngushtë, por si një vetëdije qytetëruese gjithëpërfshirëse.

Si një pasojë natyrore e kësaj tradite, ajo është zbukuruar me dashurinë e sinqertë ndaj Ehli Bejtit të pastër. Urtësia, morali, pastërtia shpirtërore, mirësjellja, finesa, maturia dhe besnikëria ndaj së vërtetës, janë bërë shtyllat kryesore të kujtesës sonë qytetëruese. Duke e brymosur (kultivuar) harmoninë shoqërore me rrënjët e unitetit, ky qytetërim ka shkëlqyer, ku dallimet i ka shikuar me prizmin e nuncave të ngjyrave të ndryshme, të një kopshti me trëndafila, të cilat së bashku krijojnë bukuri dhe qetësi. Kjo është për arsye se e ardhmja nuk ndërtohet duke thelluar ndarjet dhe përçarjet, por duke ringjallur rrënjët e përbashkëta shpirtërore që na bashkojnë.

Rruga jonë nuk është një nostalgji e verbër që mbyllet në të kaluarën dhe e humb aftësinë për të shikuar të tashmen. Tradita nuk është një kujtim i ngrirë në forma të pandryshueshme, por një lumë urtësie që është pastruar, dizajnuar dhe pasuruar gjatë shekujve, duke mbetur gjithmonë i gjallë. Në të njëjtën kohë, ajo përfaqëson aftësinë për të qenë i vetëdijshëm për kohën dhe për të ripërtërirë vazhdimisht mënyrën e shprehjes dhe transmetimit të vlerave që mbartim.

Për këtë arsye, busulla jonë është e orientuar nga maturia juridike e traditës hanefite, ekuilibri i thellë racional i mendimit maturidit dhe finesa shpirtërore e traditës sufite që ka ardhur nga Horasani dhe Maveraunnehri. Arsyeja dhe zemra janë shoqëruese të pandashme të njëra-tjetrës. Ai që nuk përdor arsyen nuk mund ta kuptojë siç duhet fenë. Po ashtu, një qasje që nënvlerëson arsyen ose përjashton shpirtëroren, vetëmse e varfëron njeriun dhe njerëzimin. Duhet të jemi në dijeni dhe ta kemi parasysh, se e vërteta lind atëherë kur bashkohen thellësia e zemrës dhe qartësia e mendjes.

Në vizionin qytetërues, arsyeja nuk është thjesht një mjet përllogaritjeje, por mundësi e artë themelore, për të kuptuar ekzistencën, për të kërkuar të vërtetën dhe për të ndërtuar nocionin e drejtësisë. Në idenë e rendit, në metafizikë, në disiplinën e punës që kërkon matje dhe vëzhgim, si dhe në mendimin sistematik që lexon natyrën dhe hapësirën përmes shkencës, arsyeja nuk është racionalitet i thatë, por një formë kuptimi e përshkuar nga urtësia. Kjo qasje nuk e bën njeriun skllav të natyrës, por e shndërron në një subjekt që e kupton dhe i jep kuptim asaj.

Prandaj, logjika e arsyes, jo vetëm që prodhon përparim teknik, por edhe mundëson leximin e drejtë të ekzistencës, gjthmonë duke mos harruar gjurmët e së vërtetës. Pra, kur arsyeja bashkohet me urtësinë, ajo bëhet themeluese e qytetërimeve.

Shpirti i qytetërimit tonë, i dalluar për moralin e saj, ka lundëruar nga shtetet që janë mbajtur gjallë nga udhëheqës të urtë e triumfues, por edhe nga ushtritë e fuqishme të dijes dhe urtësisë. Udhëtimi ynë historik, i gdhendur në venët më të thella të historisë, ka marrë drejtim nga udhëzimi i Yusuf Hemedânît në Merv, nga fryma e urtë e Hoxhë Ahmed Jeseviut dhe nga thellësia shpirtërore e Shah Nakshibendi, i cili predikonte të qenit me Zotin mes njerëzve.

Klima e dashurisë dhe mëshirës së Mevlana Xhelaludin Rumiut, gjuha e urtësisë me epiqendër: njeriun nga Haxhi Bektashi Veliu,
edukata e moralit dhe punës së Haxhi Bajram Veliut dhe “kirurgjia e zemrës” e dhe Nureddin Cerrahit kanë formësuar për shekuj me radhë shpirtin e popullit tonë, duke i dhënë edhe drejtimin.

Shumë personalitete të shquara të horizontit të urtësisë, nuk e kanë pjekur njeriun vetëm me dije, por edhe me edukatë, urtësi dhe formim shpirtëror. Kjo traditë madhështore e urtësisë e ka ngarkuar njeriun me detyrën që derisa ndërton botën e jashtme, të ndërtojë edhe botën e tij të brendshme. Dihet se arsyeja e shkëputur nga zemra bëhet e ashpër dhe lënduese, ndërsa spiritualiteti i shkëputur nga arsyeja humb drejtimin, duke e humbur edhe tek të tjerët. Pastërtia e zemrës është dritë për mendjen dhe qetësi për shpirtin.

Për këtë arsye, gjatë shekujve, binomet e pandashme arsye-zemër, përpjekje-mahnitje, dije-moral, reflektim-mëshirë dhe sinqeritet-dashuri kanë ndërtuar një qytetërim të qëndrueshëm balancues dhe harmonizues.

Një qytetërim zhvillohet përmes qyteteve që ndërton dhe përmes mendimtarëve, dijetarëve, artistëve dhe personaliteteve morale që i formon. Kështu, pas gjigantëve të mendimit si Farabi, Ibn Sina, Yusuf Has Haxhib, Biruni, Harezmi dhe Ulugë Bej, kanë rrjedhur personalitete të tjera të shquara, si Kemalpashazade, me dijen e tij enciklopedike, Fuzuliu me poezinë që i dha shpirt fjalës dhe Mimar Sinani me artin e tij arkitektonik. Ata kanë qenë shtyllat që kanë mbajtur gjallë, jo vetëm fuqinë materiale të këtij qytetërimi, por edhe urtësinë, nyjen estetike dhe vizionin e këtij qytetërimi për njeriun.

Kjo traditë themeluese dhe ndërtuese ka vazhduar në vetëdijen historike dhe shërbimin shtetëror të Ahmed Xhevdet Pashës, në konceptin e formësimit të kombit dhe shoqërisë të Ziya Gokalpit, në zërin moral dhe ndërgjegjësues të Mehmet Akif Ersoy Pejanit, në horizontin interpretues të Elmallëllë Hamdi Yazërit dhe në vizionin qytetërues e ndjeshmërinë estetike të Jahja Kemal Bejatllës. Përmes tyre, jo vetëm trashëgimia intelektuale, por edhe rrënja shpirtërore dhe pretendimi qytetërues i këtij kombi janë përcjellë me shekuj deri në ditët tona.

Duke i analizuar këto trajektore historike të civilizimit tonë, drejtimi i pasqyruar në moralin e revoltës është tek Nurettin Topçuja,
në analizat kulturore e kombëtare tek Erol Gungori, në filozofinë e ringjalljes Sezai Karakoç, në përpjekjet për të ringjallur kujtesën e Perandorisë Osmane tek Halil Inalciki, në jetën e begatë të Fuat Sezginit duke i kushtuar prezantimit të madhështisë së qytetërimit tonë para botës dhe në besnikërinë e Aziz Sancarit ndaj kombit të tij.

Së bashku me shumë figura të tjera të shquara të shkencës, mendimit, letërsisë dhe artit, këto personalitete janë bërë kështjella të urtësisë që mbajnë gjallë jo vetëm kujtesën e këtij kombi, por edhe orientimin e saj, moralin dhe aspiratën e saj qytetëruese.

Të kuptosh dijetarët dhe mendimtarët nismëtarë e themeluesit, nuk do të thotë vetëm të njohësh biografitë dhe personalitetet e tyre, por të depërtosh në thelbin e vizionit qytetërues që ata bartnin. Sepse tradita e dijes dhe mendimit nuk konsiston në përsëritjen e së kaluarës. Thelbësore është që, pa e shkëputur lidhjen jetike me rrënjët, të jesh në gjendje të thuash fjalën tënde në kohën që jeton dhe, duke u ripërtërirë, të ndërtosh një rend të ri. Prandaj, çështja e vazhdimësisë nuk duhet të humb kuptimin e saj. Detyra nuk është ruajtja mekanike e së kaluarës ashtu siç është, por aftësia për ta rinovuar atë duke ruajtur frymën dhe thelbin e saj.

Qytetërimi ekziston dhe zhvillohet vetëm mbi një bazë vetëdijeje që është e aftë ta rindërtojë të vërtetën e vet në çdo epokë. Për këtë arsye, kuptimi i trashëgimisë historike nuk qëndron vetëm në marrjen dhe ruajtjen e saj, por edhe në aftësinë për ta rimenduar vazhdimisht atë. Sepse vetëm një kujtesë që arrin të ripërtërihet, mund të mbetet e gjallë.

Për të shpjeguar këtë fushë nuk mjaftojnë interpretimet që mbështeten vetëm në inxhinieri, arkitekturë, politikë apo ekonomi. Në thelb, çështja është rindërtimi i kuptimit, urtësisë dhe moralit. Qytetërimet nuk jetojnë vetëm falë përdorimit të fuqisë si instrument, por mbi të gjitha falë aftësisë së tyre për të prodhuar, apo për të dhënë kuptim asaj që është, pra gjendjes faktike. Ndërkohë, kur fuqia shkëputet nga morali, ajo shndërrohet në dominim dhe padrejtësi; ndërkaq kur dija ndahet nga urtësia, kjo gjendje të determinon në tjetërsim dhe në humbje të orientimit.

Kur vetëdija njerëzore mbetet e bllokuar mes strukturave gjigante të botës moderne, ajo rrezikon të humb kuptimin dhe drejtimin, ndërsa kjo situatë sjellë një krizë të thellë të kujtesës dhe identitetit. Prandaj pyetja themelore është se si ta kufizojmë fuqinë përmes moralit dhe si mund ta ngërthejmë dijen me urtësinë, në mënyrë që ato të bëhen forca ndërtuese dhe shpëtuese për shoqërinë.

Edhe qytetërimi ka gjeografinë e vet. Nën qiellin tonë, kjo gjeografi që shtrihet nga lindja në perëndim dhe përfshin horizonte të gjera, nuk mund të kufizohet vetëm në kufijtë e një harte. Ajo përfshin një hapësirë të gjerë që shtrihet nga Ballkani deri në Turkistani, nga veriu i Detit të Zi deri në Kaukaz, nga Lindja e Mesme deri në Afrikën e Veriut dhe Magreb, si dhe nga Egjipti deri në Somali. Pra, kjo hapësirë është emri i një vetëdijeje të përbashkët historike dhe identiteti të përbashkët.

Vazhdimësia historike, e ndërtuar rreth të njëjtit orientim shpirtëror dhe kulturor është dëshmi se fatet e këtyre shoqërive nuk mund të ndahen lehtë nga njëra-tjetra. Në një terren të tillë, ideja e bashkimit dhe bashkëpunimit nuk lind nga retorika emocionale, por nga parime si dija, drejtësia, siguria, politika e përgjegjshme, tregtia, meritokracia dhe mëshira. Në çdo aspekt, qëndrueshmëria bëhet e mundur vetëm përmes kuptimit.

Po të shpjegohemi më qartë, duke thënë se identiteti turk nuk është thjesht një përkatësi e ngushtë etnike, por është emri i një mendësie qytetëruese të formuar nga historia. Ky identitet,
përfaqëson përvojën e bashkimit të dinamizmit të stepës, finesës urbane të qytetërimeve nga brezi i mesëm dhe edukimit shpirtëror të një tradite shtetformuese me aspirata universale.

Për këtë arsye, historia nuk është vetëm kujtimi i së kaluarës, por mundësia për të ndërtuar të ardhmen mbi përvojën e brezave. Prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për historinë, si një bagazh i pasur kujtese, që duhet ta kuptojmë atë, ashtu siç duhet. Në të kundërtën, rrezikojmë të mbetemi thjesht objekte brenda botës së ndërtuar nga të tjerët dhe të bëhemi të varur nga vullneti i tyre.

Qytetërimi nuk është një kujtim madhështor i së kaluarës, por një mënyrë e të menduarit, që vazhdimisht duhet të rindërtohet. Çdo aspekt i jetës është i lidhur me njeriun. Nuk ka vend për dorëzim apo dëshpërim. Çdo krizë bart një mundësi të re, ndërsa çdo rënie sinjalizon nevojën për një reflektim dhe mendim të ri.

E ardhmja nuk do të përcaktohet vetëm nga përparimi teknik, por edhe nga rikthimi i njeriut tek vetvetja, nga vendosja e jetës në qendër të vëmendjes, si dhe nga rivendosja e moralit, si parim themelor ndërtues. Vetëm komunitetet, që arrijnë të ringjallin dhe forcojnë botën e tyre të brendshme mund të ndërtojnë botën e jashtme të tyre ku jetojnë.

Ashtu si një ndërtesë madhështore nuk është thjesht produkt i arkitekturës së saj, por i kulturës që i jep jetë, edhe njeriu është rezultat i botës së kuptimeve ku jeton dhe i klimës qytetëruese së cilës i përket.

Prandaj, e ardhmja është në rrënjët e saj.

MARKETING