(VIDEO) Kontesti me Bullgarinë, do të diskutohet me Presidentin e Këshillit Evropian
Kontesti me Bullgarinë, do të jetë një nga temat kyçe që do të diskutohet nesër gjatë vizitës së Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, nesër në Shkup, deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. Ai tha se, pozicionet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë principiele dhe Costa deri më tani ka pasur qëndrim proaktiv në atë proces, përkatësisht se, ka pasur disa tentime që të ndihmojë për të ardhur deri te zgjidhja. I pyetur nëse ka ndonjë non – paper në lidhje me mosmarrëveshjet me shtetin fqinj, Mucunski mohoi një gjë të tillë, por tha se ka diskutim që zhvillohet nga formimi i kësaj qeverie dhe janë të vetëdijshëm që ka një kontest për të cilin duhet të ketë një zgjidhje dinjitoze
Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm
“Dallimi mes paraardhësve tanë dhe neve, është se ne e vendosim fjalë dinjitet para fjalës zgjidhje, nuk mund të ketë zgjidhje me çdo çmim. Në atë drejtim, janë ndarë disa ide, nuk ekziston një non paper, ekzistojnë ide që ndahen me përfaqësuesit e Bashkimit Evropiane, përfaqësuesit e vendeve anëtare, por të gjitha idetë janë në kuadër të atyre pritjeve principiele që ne si shtet i kemi. Pritja primare është që të ketë garanca të qarta institucionale ndaj nesh se, kjo do të jetë pengesa e fundit e karakterit bilateral”.
Në lidhje me letrën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz për ndryshimin e modelit të zgjerimit, ministri tha se, ka debat mes vendeve anëtare në kuadër të Bashkimit Evropian dhe unioni duhet të vendosë si do ta ndërtojë politikën e zgjerimit, duke shtuar se, vendi duhet të përgatitet për të gjitha skenaret dhe pozicioni i qeverisë është i qartë se procesi duhet të përfundojë me anëtarësim të plotë.
Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm
“Ne duhet të përgatitemi për të gjitha skenaret të cilat mund t’i parashkojmë për momentin, por të kujtojmë qartë se, ndaj këtij rajoni dhe ndaj këtij shteti, janë dhënë premtime shumëvjeçare serioze dhe përkushtim. Dhe për shkak të premtimeve të tilla, janë kërkuar edhe nga ne një sërë lëshimesh, një pjesë e të cilave në lidhje me çështjet nacionale”.
Kujtojmë se, në një letër drejtuar së fundmi liderëve të Bashkimit Evropian, kancelari Merc ka propozuar që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote. Përkatësisht, ai propozoi që, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, shqyrtimi i “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE. Kjo mes tjerash, do të nënkuptonte qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
Teuta Buçi /SHENJA/

