31-vjeçari nën hetim për aksidentin fatal në “Rrugën e Plastikave”, kërkohet paraburgim

31-vjeçari nën hetim për aksidentin fatal në “Rrugën e Plastikave”, kërkohet paraburgim

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë hetimore ndaj një 31-vjeçari, i dyshuar për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”, sipas Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, mbrëmjen e djeshme i dyshuari ka drejtuar një automjet Audi A4 në bulevardin “Nikola Karev”. Kur ka mbërritur në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski”, ai nuk ka respektuar sinjalizimin rrugor dhe, duke kaluar mbi vijën e dyfishtë të plotë, ka hyrë në korsitë e automjeteve që vinin nga drejtimi i kundërt, duke bërë kthim majtas në kryqëzim, raporton SHENJA.

Po ashtu, ai dyshohet se ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike, në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.

Si pasojë e shkeljeve, është përplasur fillimisht me një motoçikletë BMW, ndërsa më pas në pjesën e pasme të automjetit të tij është përplasur edhe një motoçikletë Honda HDV, të cilat po lëviznin nga drejtimi i kundërt.

Nga përplasja e rëndë, drejtuesi i motoçikletës BMW ka pësuar lëndime të rënda dhe më vonë ka ndërruar jetë.

Prokurori publik, duke vlerësuar rrezikun e arratisjes, ndikimin te dëshmitarët dhe mundësinë e përsëritjes së veprës, ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. /SHENJA/

MARKETING