Pesë të arrestuar për dhunë në familje brenda 24 orëve, mes viktimave edhe dy të mitur

Pesë të arrestuar për dhunë në familje brenda 24 orëve, mes viktimave edhe dy të mitur

Pesë persona janë privuar nga liria, ndërsa ndaj njërit prej tyre është ngritur kallëzim penal dhe i është caktuar masa e paraburgimit, pas shtatë rasteve të dhunës në familje të denoncuara gjatë 24 orëve të fundit në vend. Në dy prej rasteve, viktima të sulmeve fizike kanë qenë edhe të mitur.

Rasti më i rëndë është regjistruar në Veles, ku policia arrestoi 62-vjeçarin L.N., i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 56-vjeçare dhe vajzën e tyre të mitur, si dhe kishte ushtruar kërcënime ndaj saj. Gjatë verifikimeve u konstatua se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, me 0,70 promilë alkool në gjak. Pas procedurave të ndërmarra, ndaj tij është ngritur kallëzim penal, ndërsa gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit.

Një tjetër rast u raportua në Kumanovë, ku u arrestua D.S. (40), pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht partneren e tij 49-vjeçare dhe djalin e saj. Po në Kumanovë, policia privoi nga liria edhe N.C. (44), i dyshuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij 39-vjeçare.

Në Tetovë janë regjistruar dy incidente që lidhen me të njëjtin person, V.R. (57). Fillimisht, nëna e tij 78-vjeçare raportoi se ai kishte thyer sende në banesën familjare dhe ishte sjellë në mënyrë agresive, duke rrezikuar sigurinë e saj. Më pas, një fqinjë denoncoi se V.R. i kishte shkaktuar lëndime me një mjet të mprehtë. Pas ndërhyrjes së policisë dhe ekipeve mjekësore, ai u transportua për trajtim në një institucion shëndetësor në Shkup.

Ndërkohë, në Shkup, një grua 39-vjeçare raportoi se ish-partneri i saj jashtëmartesor e kishte kërcënuar disa ditë më parë në zonën e Gjorçe Petrovit.

Një arrestim tjetër u krye në Veles, ku D.D. (24) dyshohet se kishte sulmuar fizikisht partneren e tij 25-vjeçare në shtëpinë e tyre.

Po ashtu, në Ohër është raportuar një rast ku A.N. dyshohet se ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj nënës së tij dhe e kishte kërcënuar me jetë.

Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve dhe procedimin e tyre në organet kompetente.

MARKETING