(VIDEO) Levica dhe ministria e Arsimit përplasen për raportin e revizorëve
Partia Levica dhe Ministria e Arsimit, përplasen për një raport të Revizionit Shtetëror, kushtuar menaxhimit të parave publike nga ana e Ministrisë. Kjo e fundit reagoi duke akuzuar partinë se po manipulon me informacionin, pasi raporti i takon periudhës së pushtetit të kaluar. Nga dikasteri i Arsimit shprehen se puna e opozitës është të kritikoj, por jo edhe të gënjej. Ndërsa shtojnë, se ata i marrin parasysh vërejtjet e Revizionit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Vetëm pak ditë më parë, kur njoftuam se po vepronim sipas njërit prej rekomandimeve të Revizionit Shtetëror, i cili kërkon ndryshimin e modelit të financimit të konvikteve studentore, ishte Levica ajo që reagoi negativisht, duke kërkuar që të mos ndërmerren veprime. Sot, e njëjta parti po thotë të kundërtën”.
Duke përmendur vërejtjet e Revizionit, për dobësi në menaxhimin e investimeve kapitale, objekte të papërfunduara dhe pa pranim teknik, shpenzim joekonomik për tekstet shkollore e vërejtje të tjera, Levica pyet se përse ekziston Enti Shtetëror i Revizionit, kur rekomandimet e tij nuk zbatohen. Partia thotë se ndryshimet duhet të fillojnë nga Ministria e Arsimit dhe të gjithë sektorët e saj, pasi siç shtojnë, pa institucione me një sistem operativ të fortë dhe të zhvilluar, nuk ka kapacitet për të zbatuar reformat dhe për të arritur progres në arsim.
Levica
“Në çdo shtet serioz, një raport i tillë i Revizionit do të kishte pasoja të rënda për të gjithë stafin drejtues, duke filluar nga ministri i cili do të jepte dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme. Në vendin tonë, raporti do të mbetet vetëm një shkronjë e vdekur në letër, dhe institucioni do të vazhdojë të funksionojë ‘ashtui si deri më tani”.
Raporti i Revizionit i kushtohet periudhës së vitit 2023, ndërsa është publikuar në ëeb faqen e Revizionit më 2 shtator 2025.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

