VLEN: Blerim Bexheti iku, Adnan Jashari erdhi, provimi i jurisprudencës mbeti zvarr
VLEN ka reaguar për çështjen e provimit të jurisprudencës, duke akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për, siç thuhet në reagim, neglizhencë ndaj studentëve shqiptarë gjatë periudhës kur ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas VLEN, gjatë mandateve të mëparshme në Ministrinë e Drejtësisë, përfshirë periudhat kur ministrinë e kanë drejtuar figura si Blerim Bexheti dhe Adnan Jashari, nuk është zgjidhur çështja e organizimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në deklaratë pretendohet se gjatë asaj kohe ka pasur raste kur institucionet kanë funksionuar në mënyrë selektive, duke përmendur edhe rastin e pajisjes me provimin e jurisprudencës të djalit të ish-kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, edhe pse sipas pretendimeve ai nuk kishte përfunduar ende studimet në atë periudhë.
VLEN thekson se studentët shqiptarë, sipas tyre, kanë hasur vonesa dhe mungesë zgjidhjesh, ndërsa kërkon që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe dhe që, siç thuhet në reagim, të zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe edhe në provime të tjera profesionale.
Në përmbyllje të deklaratës, VLEN thekson se “çështja e provimit të jurisprudencës në shqip është vetëm fillimi” dhe se synimi i tyre është që të gjitha provimet profesionale të jenë të qasshme edhe në gjuhën shqipe.
Deri tani nuk ka pasur një reagim të detajuar publik nga BDI apo nga personat e përmendur lidhur me këto akuza.

