(VIDEO) Shpërndahen 7.000 pako “Dhurata Bajrami” për fëmijë në mbarë vendin
Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet” në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Vizioni M” realizuan një aktivitet festiv dhe solidarizues, duke shpërndarë 7.000 pako “Dhurata Bajrami” për fëmijë në shumë qytete dhe vendbanime të Maqedonisë së Veriut.
Ky aktivitet u organizua me qëllim që gëzimi i Bajramit të arrijë tek çdo fëmijë, pa dallim etnie, feje apo statusi social. Përmes këtij aksioni, buzëqeshja e festës u shpërnda në çerdhe, shkolla, spitale, qendra për fëmijë me nevoja të veçanta, jetimore, mektebe dhe zona rurale.
Shpërndarja u realizua në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Likovë, Prilep, Veles dhe Manastir.
Në Shkup, pako u shpërndanë në çerdhet “Fidani” dhe “Borëbardha”, në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, Shtëpinë e Shëndetit, Shtëpinë e fëmijëve pa prindër “11 Tetori”, Shoqatën SOS Vita, shoqatën “Dua Ylberin”, Qendrën “Akabe”, në Çarshi pranë Xhamisë “Murat Pasha”, si dhe tek jetimët e regjistruar në OKH Merhamet. Gjithashtu, shpërndarje pati edhe në Saraj, komunën e Studeniçan dhe në shumë zona rurale përreth.
Në Tetovë, aksioni përfshiu shkollat fillore “Naim Frashëri”, “Hasan Tahsin” dhe “Liria”, Qendrën Dekas, Qendrën e Autizmit “Fluturo për Jetën”, repartin e fëmijëve në Spitalin e Tetovës, si dhe mektebet e Xhamisë Firdeus, Xhepcishtit dhe Zhelinës.
Në Kumanovë dhe Likovë, shpërndarja u realizua në Shoqatën Edukative për fëmijë me nevoja të veçanta “Vlera”, SHFK “Toli Zordumis” – Kumanovë, SHFK “Naim Frashëri” – Kumanovë, në fshatin Hotël, fshatin Mateç, Forumin Rinor “Nakushtak”, në xhamitë e fshatrave të Likovës, si dhe në shoqatat “Gushinca” dhe “Llukara”.
“Merhamet” dhe “Vizioni M” falënderojnë të gjithë donatorët, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin e këtij organizimi festiv. /SHENJA/

