(VIDEO) Festa e Kurban Bajramit, krerët shtetëror urojnë besimtarët
Me shënimin e festës së Kurban Bajramit krerët e shtetit të Maqedonisë së Veriut shprehin urimet e tyre ndaj besimtarëve myslimanë. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi uron festën në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, ndërsa mes urimit të tij shprehet se në këtë ditë të Kurban Bajramit, festës së sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve, përtërihen vlerat më të larta të solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.
Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit
“Kjo festë e shenjtë na rikujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, të ndarjes së mirësisë me familjen, fqinjët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore. Kurban Bajrami është një thirrje për më shumë unitet, duke forcuar besimin se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, ju uroj që kjo festë të sjellë begati, shëndet, qetësi shpirtërore dhe lumturi në familjet tuaja”.
Edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova u uron qytetarëve festën e Kurban Bajramit duke shprehur dëshirë për ta kaluar këtë ditë të shenjtë në paqe, gëzim dhe mirëqenie familjare. Ajo thotë se pikërisht në aftësinë për të ruajtur dhe shprehur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë.
Gordana Siljanovska Davkova, Presidente
“Të gjithë besimtarëve të besimit islam, ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, me dëshirën që ta kalojnë atë në paqe, gëzim dhe mirëqenie familjare. Kurban Bajrami, përmes simbolikës së tij të thellë të dhënies dhe sakrificës, tregon vlera që janë të rëndësishme për pjekurinë morale të komunitetit”.
Festën e Kurban Bajramit e uroi edhe Kryeministri Hristian Mickoski duke ju uruar qytetarëve të besimit islam, shëndet të mirë, paqe, qetësi dhe mirëqenie në çdo shtëpi.
Hristian Mickoski, Kryeministër
“Të dashur qytetarë të besimit islam, me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, ju shpreh urimet e mia të sinqerta juve dhe familjeve tuaja, me dëshira për shëndet të mirë, paqe, qetësi dhe mirëqenie në çdo shtëpi. Në frymën e festës, le të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri mirëkuptimi, uniteti dhe respekti, ku dallimet janë forca jonë dhe bashkimi e ardhmja jonë”.
Edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti uron festën duke dëshiruar që festat t’i kremtojmë gjithmonë së bashku, me zemër të hapur dhe me suksese të përbashkëta për të ardhmen tonë.
Ndërsa. urim nuk mungoi as prej kryetarit të partisë opozitare LSDM, Venko Filipçe. Ai u uroi festën të gjithë besimtarëve të fesë islame nga ku thotë se në frymën e festës, le të tregojmë mirëkuptim, respekt dhe më shumë kujdes për njëri-tjetrin.
Uime të shumta pati edhe nga funksionarë të tjerë duke iu uruar të gjithë besimtarëve myslimanë paqe, shëndet, begati dhe mirësi në familjet e tyre.
Anida Murati /SHENJA/

