NBA/ Wembanyama show, Spurs triumfojnë ndaj Thunder, barazohet 2-2 seria në Perëndim
San Antonio Spurs rikthehen fuqishëm në seri dhe barazojnë 2-2 përballjen ndaj Oklahoma City Thunder, pas një fitoreje bindëse 103-82 në ndeshjen e katërt të playoff-it.
Skuadra teksane zhvilloi një paraqitje spektakolare në mbrojtje, duke neutralizuar totalisht kampionët në fuqi dhe duke i detyruar ata në një nga mbrëmjet më të dobëta ofensivisht në historinë e playoff-it të klubit.
Njeriu i ndeshjes ishte pa diskutim Victor Wembanyama. Ylli francez dominoi parketin me 33 pikë, 8 rebound, 5 asistime dhe 3 bllokime, duke udhëhequr Spurs në të dyja fazat e lojës. Me energjinë dhe prezencën e tij, San Antonio kontrolloi ritmin e sfidës nga fillimi deri në fund.
Në krahun tjetër, Oklahoma City vuajti shumë në sulm. Shai Gilgeous-Alexander ishte realizuesi më i mirë i skuadrës me 19 pikë, por edhe ai pati një mbrëmje të vështirë në gjuajtje, me vetëm 6 realizime në 15 tentativa nga fusha.
Statistikat tregojnë qartë problemet e Thunder: vetëm 33 për qind saktësi në gjuajtjet totale dhe një performancë katastrofike nga distanca, me vetëm 6 treshe të realizuara në 33 tentativa.
Pas kësaj fitoreje të madhe, seria rikthehet plotësisht e hapur, ndërsa ndeshja e pestë pritet të jetë vendimtare për rrjedhën e këtij dueli spektakolar në playoff-et e NBA-së.

