Presidenti çek kërkesë NATO-s: Tregoni “dhëmbët” ndaj provokimeve të Rusisë
Presidenti çek Petr Pavel, ka bërë thirrje që NATO të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj provokimeve të vazhdueshme të Rusisë në krahun lindor të aleancës, duke paralajmëruar se mungesa e reagimit mund të inkurajojë Moskën të shkojë edhe më tej.
Në një intervistë për gazetën britanike The Guardian, Pavel deklaroi se NATO duhet të “tregojë dhëmbët” dhe të japë përgjigje “mjaftueshëm vendimtare, potencialisht edhe asimetrike” ndaj veprimeve provokuese të Kremlinit.
Mes opsioneve që ai sugjeroi janë ndërprerja e internetit dhe satelitëve rusë, shkëputja e bankave ruse nga sistemi financiar global, si dhe rrëzimi i avionëve luftarakë që shkelin hapësirën ajrore të aleancës.
Ish-gjenerali dhe ish-kreu i komitetit ushtarak të NATO-s tha se Rusia ka testuar prej vitesh kufijtë e aleancës, sidomos pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
“Rusia zhvilloi një stil sjelljeje që afrohet pranë pragut të Nenit 5, por gjithmonë pak poshtë tij”, u shpreh Pavel, duke iu referuar nenit të NATO-s që konsideron sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithë aleancës.
Sipas tij, udhëheqësit ushtarakë rusë kanë përfituar nga ngadalësia e vendimmarrjes në NATO.
“Kur i pyeta pse kryejnë veprime provokuese në ajër apo mbi anije luftarake në Detin Baltik dhe Detin e Zi, përgjigjja ishte: ‘Sepse ne mundemi’. Këtë sjellje e kemi lejuar vetë”, deklaroi ai.
Pavel paralajmëroi se nëse shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s vazhdojnë, aleanca mund të detyrohet të marrë masa të forta ushtarake.
“Nëse këto incidente vazhdojnë, do të duhet të marrim vendim për të rrëzuar një avion pa pilot ose edhe me pilot”, tha presidenti çek.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e vendosmërisë nga Shtetet e Bashkuara për të vazhduar presionin ndaj Rusisë, edhe pse shmangu kritikat direkte ndaj Donald Trump.
Më herët, Pavel kishte deklaruar për mediat çeke se Trump “ka bërë më shumë për të minuar besueshmërinë e NATO-s në pak javë sesa Vladimir Putin në shumë vite”.
Presidenti çek i bëri jehonë edhe paralajmërimeve të fundit të kryeministrit polak Donald Tusk, duke theksuar se nëse NATO nuk reagon ndaj provokimeve aktuale, Rusia mund të intensifikojë ndërhyrjet e saj në të ardhmen.

