Mucunski bën thirrje për rritje të investimeve të NATO-s në mbrojtje dhe vazhdim të mbështetjes për Ukrainën
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka deklaruar se NATO duhet të vazhdojë të forcojë investimet në mbrojtje dhe të ruajë mbështetjen e fuqishme për Ukrainën, ndërsa njëkohësisht të adresojë rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu.
Duke folur para një takimi të ministrave të Jashtëm në Helsingborg, Mucunski tha se mbledhja zhvillohet gati një vit pas samitit të Hagës dhe para samitit të ardhshëm të liderëve të NATO-s në Ankara, duke ofruar mundësi për të rishikuar progresin dhe përcaktuar prioritetet e aleancës.
Mucunski tha se ministrat do të diskutojnë shpenzimet e mbrojtjes, zhvillimin e industrive të mbrojtjes dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, të cilën e përshkroi si një përpjekje “shumë të përkushtuar” të aleancës.
Ai theksoi se situata në Lindjen e Mesme do të jetë pjesë e diskutimeve, së bashku me atë që e quajti “ndikim serioz keqdashës nga faktorë të jashtëm” në Ballkanin Perëndimor.
“Sigurisht që do të diskutojmë disa tema shumë të rëndësishme”, tha ai duke shtuar se NATO po bëhet “gjithnjë e më e fortë” përmes angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

