Ministrja gjermane kritikon ministrin izraelit Ben-Gvir për trajtimin e aktivistëve të flotiljes me destinacion Gazën
Ministrja gjermane për Zhvillim Reem Alabali Radovan kritikoi ashpër ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir për trajtimin e aktivistëve të flotiljes humanitare për Gazën pas ndalimit të tyre që ajo e cilësoi si të paligjshëm, transmeton Anadolu.
“Pamjet dhe deklaratat e ministrit izraelit të policisë Ben-Gvir janë shqetësuese dhe të papranueshme”, tha ajo në një deklaratë, duke përsëritur thirrjen e saj për qasje të pakufizuar humanitare në Gaza në mes të situatës së rëndë në territoret e pushtuara palestineze.
“Duhet bërë çdo përpjekje që njerëzit në nevojë të marrin ndihmë në mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe pa pengesa”, tha Radovan. “Kjo kërkon qasje të besueshme dhe autorizimin e mbështetjes nga organizatat ndërkombëtare — në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Humaniteti nuk duhet të jetë kurrë i negociueshëm”, shtoi ajo.
Ben-Gvir publikoi një video në rrjetet sociale të mërkurën ku shihej duke u tallur me aktivistët propalestinezë të lidhur dhe të detyruar të uleshin në gjunjë pas ndalimit nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare.
Ky veprim shkaktoi reagime të forta si brenda Izraelit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Forcat izraelite ndërhynë në Flotiljen Globale Sumud në ujërat ndërkombëtare të hënën, duke ndaluar të gjithë aktivistët në bord. Flotilja, që transportonte 428 persona nga 44 vende, u nis të enjten e kaluar nga rrethi turk Marmaris në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007.

