Putin e quan vizitën në Kinë “të suksesshme, frytdhënëse dhe shumë intensive” pas takimit me Xi
Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi vizitën e tij zyrtare në Kinë si “të suksesshme, frytdhënëse dhe shumë intensive”, raporton Anadolu.
Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie çaji kinez të organizuar nga presidenti kinez Xi Jinping në Pekin.
Putin mbërriti në Pekin të martën në mbrëmje për një vizitë dyditore, ndërsa të dy liderët zhvilluan bisedime sot, duke avancuar marrëdhëniet dhe duke kundërshtuar atë që e quajtën “rikthim të ligjit të xhunglës” në çështjet globale.
Xi e quajti vizitën e Putinit të suksesshme, duke theksuar se bisedimet ishin “të gjera” dhe sollën “rezultate të pasura”, raportoi media ruse Vesti.
Në takimin e çajit morën pjesë edhe këshilltari presidencial rus Yury Ushakov, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, Zëvendësshefi i Shtabit Maxim Oreshkin, si dhe Igor Morgulov, Ambasador i Rusisë në Kinë.
Xi u shoqërua nga Cai Qi, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës, ministri i Jashtëm Wang Yi dhe Zhang Hanhui, Ambasadori i Kinës në Rusi.
Gjatë vizitës së Putinit, Rusia dhe Kina arritën marrëveshje për projekte të përbashkëta energjetike, ndërsa u arritën edhe mirëkuptime për “diçka shumë të rëndësishme”, sipas Ushakovit, i cili nuk dha detaje.
Putin gjithashtu u takua me kryeministrin kinez Li Qiang sot.
“Në një peizazh ndërkombëtar gjithnjë e më të trazuar, marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë mbetur të qëndrueshme dhe të parashikueshme”, ka thënë Li, sipas agjencisë Xinhua News.
“Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të ndjekur udhëheqjen strategjike të dy krerëve të shtetit dhe për ta ngritur bashkëpunimin dypalësh në nivele më të larta”, shtoi ai.

