(VIDEO) Shkolla e Vollkovës 8 klasa plus, e Nikishtanit s’ka as sallë sporti
Kryetari i komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski, i shoqëruar nga kryeminstri, Hristijan Mickoski, sot në Shkollën Fillore “Joakim Kërçovski” në fshatin Vollkovë, kanë hedhur gurthemelin për fillimin e ndërtimit dhe zgjerimin e shkollës me 8 klasa të reja.
Ndërkaq, i pyetur nga Televizioni Shenja se cilat janë projektet e reja për shkollën periferike në fshatin Nigishtan, e cila mban të njëjtin emër dhe që është fshati i vetëm shqiptar në këtë komunë, ndërsa ende nuk ka sallë sportive, kryetari i komunës, Aleksandar Stojkoski, tha se arsyeja pse deri më tani nuk është ndërtuar një sallë e tillë lidhet me problemet pronësore.
ALEKSANDAR STOJKOSKI, KRYETAR I KOMUNËS SË GJORÇE PETROVIT
“Nuk ka sallë sporti, sepse ka probleme me pronësinë, e cila për vite të shumta nuk është zgjidhur. Punojmë që fillimishtë ta zgjidhim problemin e pronësisë, pasi ilegalisht nuk mundemi të ndërtojmë asnjë lloj ndërtimi. Konkretishtë për fshatin Nigishtan, para shumë pak kohësh janë përmisuar dhe janë rritur kushtet për jetes, tash para shumë pak kohësh kemi mbaruar me rrugën kryesore e cila fillon nga fshati Orman, sikurse të gjitha rrugicat në kuadër të fshatit, ndërsa kanë mbetur edhe dy, kështu që besoj do të vjen në rend edhe kjo, sapo t’i zgjidhim pengesat pronësore”.
Ndërkohë, me projektin në shkollën e Vollkovës, parashihet ndërtimi i një objekti të ri shkollor me sipërfaqe prej 541 metrash katrorë, përkatësisht 612 metra katrorë së bashku me pjesën e bodrumit. Vlera e projektit është 41.882.194 denarë me TVSH të përfshirë. Investitor është Komuna e Gjorçe Petrovit, me mbështetje financiare përmes programit për shfrytëzimin e mjeteve për dotacione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit dhe shkencës për vitin 2025. Afati për realizimin e projektit është 12 muaj.
Samir Mustafa /SHENJA/

