Trafiku i anijeve cisternë në Hormuz rikthehet drejt niveleve mesatare
Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është rritur lehtë javën e kaluar duke iu rikthyer niveleve mesatare të regjistruara që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi më parë kishte rënë në nivelin më të ulët të periudhës së luftës.
Sipas të dhënave të kompanisë së monitorimit detar ”Kpler”, deri sot në mëngjes, 55 anije me ngarkesa lëndësh të para kaluan përmes kësaj rruge strategjike detare gjatë periudhës 11–17 maj.
Kjo përfaqëson një rritje të fortë krahasuar me javën pararendëse, kur vetëm 19 anije kishin kaluar ngushticën, shifra javore më e ulët që nga sulmet e para amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt.
Televizioni shtetëror iranian raportoi të premten se trupat e Gardës Revolucionare po lejonin më shumë anije të kalonin nëpër ngushticë, pasi një ditë më parë kishte njoftuar se “më shumë se 30 anije” ishin autorizuar të tranzitonin.
Megjithatë, pavarësisht rritjes, numri i kalimeve javën e kaluar mbetet përgjithësisht në përputhje me mesataren e periudhës së luftës. Që nga 1 marsi, ”Kpler” ka regjistruar 663 anije mallrash që kanë kaluar përmes ngushticës, ose mesatarisht 55 në javë.
Rreth gjysma e cisternave që kaluan javën e kaluar transportonin lëngje.
Mes tyre ishin edhe tre supertankerë, që besohet se ishin nisur drejt Kinës, Omanit dhe Japonisë.
Të dhënat e kompanisë tregojnë gjithashtu se 15 anije transporti për lëndë të para të thata dhe 16 cisterna me gaz të lëngshëm të naftës (GPL) kaluan ngushticën javën e kaluar. Vetëm një cisternë me gaz natyror të lëngshëm (GNL), që transportonte gaz nga Katari drejt Pakistanit, kaloi më 12 maj. Kjo e çon në tetë numrin total të kalimeve të anijeve GNL që nga fillimi i luftës.
Në kohë paqeje, Ngushtica e Hormuzit siguron tranzitin e rreth një të pestës së eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, si dhe të mallrave të tjera të rëndësishme, përfshirë plehrat kimike.
Irani ka përsëritur disa herë se trafiku detar në këtë korridor “nuk do të rikthehet në nivelet e para luftës”.
Teherani njoftoi sot krijimin e një organi të ri për mbikëqyrjen e ngushticës dhe vendosjen e tarifave të kalimit për anijet, të cilat sipas raportimeve, Irani ka nisur t’i aplikojë që në fillim të luftës.

