UNICEF-i: 200 fëmijë të vrarë nga sulmet izraelite në Liban që nga 2 marsi
Të paktën 200 fëmijë janë vrarë në Liban si pasojë e sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj vendit që nga 2 marsi, tha të enjten UNICEF-i, transmeton Anadolu.
“Fëmijët në Liban vazhdojnë të jenë më të goditurit nga dhuna e vazhdueshme, zhvendosjet dhe ekspozimi ndaj ngjarjeve traumatike”, thuhet në deklaratën e agjencisë së OKB-së për fëmijët.
UNICEF-i tha se të paktën 59 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Liban gjatë javës së kaluar, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga 17 prilli.
Sipas organizatës, që nga 17 prilli janë vrarë 23 fëmijë dhe janë plagosur 93 të tjerë, duke i cilësuar këto shifra si “një kujtesë e zymtë për rreziqet e vazhdueshme me të cilat përballen fëmijët”.
Agjencia tha se bilanci i përgjithshëm i viktimave mes fëmijëve që nga 2 marsi ka arritur në 200 të vrarë dhe 806 të plagosur, që i bie gati 14 fëmijë të vrarë ose të plagosur çdo ditë.
“Fëmijët po vriten dhe plagosen në kohën kur duhet të rikthehen në klasa, të luajnë me shokët dhe të rimëkëmben nga muaj të tërë frike dhe trazirash”, thuhet në deklaratë.
UNICEF-i shtoi se, përtej ndikimit të drejtpërdrejtë të bombave dhe sulmeve ajrore, rreth 770 mijë fëmijë po përjetojnë “shqetësim të shtuar” nga ekspozimi i përsëritur ndaj dhunës, humbjeve dhe zhvendosjes.
Organizata paralajmëroi se mungesa e shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale në ambiente të sigurta dhe stabile mund t’i ekspozojë këta fëmijë ndaj “rrezikut serioz për zhvillimin e problemeve kronike ose të përjetshme të shëndetit mendor”.
“Gati një muaj më parë u arrit një marrëveshje për të heshtur armët dhe për t’i dhënë fund dhunës. Realiteti po dëshmon të kundërtën. Sulmet e vazhdueshme po vrasin dhe plagosin fëmijë, duke thelluar traumën e tyre dhe duke lënë pasoja shkatërruese që mund të zgjasin gjithë jetën”, ka thënë Edouard Beigbeder, drejtor rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Agjencia u bëri thirrje të gjitha palëve të mbrojnë fëmijët, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar vazhdimin e armëpushimit.
Sipas zyrtarëve libanezë, që nga 2 marsi sulmet izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 2.896 persona, kanë plagosur mbi 8.824 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1,6 milion njerëz, rreth një të pestën e popullsisë së vendit.
Ushtria izraelite vazhdon sulmet e përditshme në Liban dhe shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun, pavarësisht armëpushimit të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur më pas deri më 17 maj.

