(VIDEO) Nëntë pacientë kanë pasur operacione të panevojshme në zemër

(VIDEO) Nëntë pacientë kanë pasur operacione të panevojshme në zemër

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu,  ka njoftuar  se Komisioni me ekspertë të  huaj që ka shqyrtuar rastet e dyshimta të operacioneve të panevojshme ose të udhëzimeve për operime, ka konstatuar gjetje të dyshimta në nëntë nga gjithsej 13 lëndë të analizuara. Sipas Aliut, bëhet fjalë për raste që lidhen me ndërhyrje kardiokirurgjike, për të cilat ekzistojnë dyshime për nevojën reale të kryerjes së operacioneve ose për mënyrën e referimit të pacientëve për trajtim kirurgjik.

SINKRON:AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË 

“Për 9 pacientë të tjerë, sipas ekspertëve të huaj, po citoj…thotë kështu: Dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evaluimit diagnostik, psh: mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronografia dhe raportit të shkruar, pas së cilës, ka pasur indikacion të papërshtatshëm për procedura, qoftë endokrino vaskulare, apo kirurgjikale”.

Ministri Aliu njoftoi se raste të njejta janë konstatuar edhe nga komisioni i brendshëm.

SINKRON:AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Komisioni i brendshëm vendor mbajti 16 takime  gjatë kësaj periudhe, që shqyrtoi në mënyrë të detajuar 20 raste, prej të cilava 13 raste u konstatuan dyshime për operacione të kryera pa nevojë, ose për udhëzim të pa nevojshëm për operacion”.

Aliu tha se Komisioni i Huaj përbehej nga nga dr. Ugolini Livi, kardiokirurg nga Italia,  dr. Nikolla Lakiç, kirurg kardiovaskular nga Sllovenia, dhe dr. Miha Çerçek, kardiolog intervenues nga Sllovenia.  Ministri i Shëndetësisë tha se raporti i Komisionit të Huaj, së bashku me raportin e Komisionit vendas, do t’i dorëzohen Qeverisë, Prokurorisë, Odës së Mjekëve, Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor, Fondit Shëndetësor dhe Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, ndërsa  paralajmëroi se institucionet kompetente do të vazhdojnë me procedurat dhe shqyrtimin e rasteve, ndërsa opinioni do të informohet për të gjitha gjetjet dhe masat që do të ndërmerren.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING