Janevska: Për fat të keq, qendrat private arsimore nuk janë nën kompetencën e MASH-it
Pas rastit me 65-vjeçarin, mësues dhe menaxher i një qendre arsimore në Shtip, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka prekur disa nxënëse të mitura gjatë mësimit plotësues, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska deklaroi sot se, për fat të keq, qendrat private arsimore nuk janë nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe se qëllimi i MASH-it është që ato të integrohen në sistemin arsimor.
“Për fat të keq, qendrat private arsimore nuk janë nën kompetencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Informacionet e mia tregojnë se ato janë jashtë sistemit arsimor. Kemi ndërmend t’i përfshijmë në sistem në mënyrë që të mund të bëjmë monitorimin e punës së tyre. MASH-i nuk është ndalur për dy vjet, punon 24 orë, u deshën të ndryshohen shumë ligje për të përmirësuar standardet dhe për të siguruar cilësi te të gjithë faktorët në arsim. Ka edhe institucione të arsimit të lartë që duhet të futen në sistem, si dhe shkolla që kanë kërkuar nga ne të integrohen në sistem. Do ta bëjmë këtë në kohën e duhur”, tha Janevska duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme dje njoftoi se një 65-vjeçar, menaxher i një qendre arsimore në Shtip, është arrestuar nën dyshimin se për një periudhë të gjatë ka prekur në trup disa nxënëse të mitura gjatë zhvillimit të mësimit plotësues. Në shtëpinë e tij dhe në qendrën arsimore, me urdhër paraprak të gjykatës, janë kryer bastisje dhe janë sekuestruar sende për procedurë të mëtejshme. Atij i është caktuar paraburgimi 30-ditor.

