Trump do të ketë “bisedë të gjatë” me presidentin kinez për Iranin, thotë se SHBA-së nuk i duhet ndihmë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të zhvillojë diskutime të gjera me presidentin kinez, Xi Jinping, mbi Iranin gjatë samitit të tyre dyditor, raporton Anadolu.
Trump këmbënguli se SHBA-së nuk i nevojitet ndihmë për trajtimin e situatës, ndërsa lufta mbetet në një armëpushim të pacaktuar prej më shumë se një muaji, por pranoi se kjo do të jetë një temë e rëndësishme gjatë takimeve të tij me presidentin kinez.
“Do të kemi një bisedë të gjatë për këtë. Mendoj se ai ka qenë relativisht i mirë, të jem i sinqertë me ju. Shikoni bllokadën, nuk ka probleme. Ata marrin shumë nga nafta e tyre nga ajo zonë. Nuk kemi pasur problem dhe ai ka qenë mik imi”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përgatitej të nisej për Pekin.
Sipas raportimeve, Kina është blerësi më i madh i naftës bruto iraniane, duke përbërë 90 për qind të shitjeve totale të naftës së Iranit.
Pekini ka treguar gjithnjë e më shumë gatishmëri për të sfiduar hapur sanksionet amerikane ndaj shitjes së naftës iraniane. Më herët këtë muaj, Kina udhëzoi kompanitë që të injorojnë sanksionet amerikane ndaj pesë rafinerive kineze të sanksionuara për rolin e tyre të dyshuar në lehtësimin e tregtisë së naftës iraniane.
I pyetur nga një gazetar nëse Xi duhet të ndërhyjë tek Irani, Trump këmbënguli se kjo nuk është e nevojshme.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndihmë me Iranin. Do ta fitojmë në një mënyrë ose në një tjetër. Do ta fitojmë në mënyrë paqësore ose ndryshe”, tha ai.
Më herët, ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi, siç raportoi agjencia shtetërore Xinhua, i kërkoi Pakistanit të shtojë përpjekjet ndërmjetësuese dhe të kontribuojë në “trajtim të duhur” të çështjeve që lidhen me hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Wang i bëri komentet gjatë një telefonate me homologun e tij pakistanez, Ishaq Dar, ndërsa Islamabadi vazhdon përpjekjet për të organizuar një raund të dytë bisedimesh të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Iranit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit, dy kryediplomatët theksuan rëndësinë e vazhdimit të një armëpushimi “të qëndrueshëm” midis SHBA-së dhe Iranit, si dhe sigurimin e kalimit normal nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit më 8 prill, pasuar nga bisedime të rëndësishme në Islamabad më 11 dhe 12 prill, ku morën pjesë delegacione të larta nga të dy vendet. Asnjëra palë nuk arriti marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Që atëherë, të dyja palët në konflikt kanë shkëmbyer formula dhe kundërformula për të gjetur një rrugë të mesme dhe për të rifilluar raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për përfundimin e luftës, e cila tashmë ka ndërprerë furnizimet globale me energji dhe jetën e përditshme në të gjithë rajonin.

