UNICEF: Një fëmijë palestinez vritet çdo javë në Bregun Perëndimor që nga janari i vitit 2025

UNICEF: Një fëmijë palestinez vritet çdo javë në Bregun Perëndimor që nga janari i vitit 2025

Të paktën 70 fëmijë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, që nga fillimi i vitit 2025, mesatarisht një fëmijë në javë, tha sot UNICEF-i, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në Gjenevë, zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder tha se 93 për qind e fëmijëve u vranë nga forcat izraelite ndërsa 850 fëmijë të tjerë u plagosën, shumica nga municionet luftarake.

“Fëmijët po paguajnë një çmim të patolerueshëm për përshkallëzimin e operacioneve militarizuara” dhe sulmet pushtuese izraelite në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor”, tha Elder.

Ai paralajmëroi se dhuna nuk kufizohej vetëm në sulme të drejtpërdrejta, por përfshinte edhe “çmontimin e vazhdueshëm” të sistemeve nga të cilat varen fëmijët për të mbijetuar dhe për t’u rritur, përfshirë shtëpitë, shkollat, infrastrukturën e ujit dhe aksesin në kujdesin shëndetësor.

Sipas UNICEF-it, më shumë se 2.500 palestinezë, përfshirë 1.100 fëmijë, janë zhvendosur vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026, duke tejkaluar zhvendosjen totale të regjistruar gjatë gjithë vitit 2025.

Elder përmendi rritje të ndjeshme të sulmeve që prekin arsimin, me 99 incidente të dokumentuara që lidhen me arsimin në vitin 2026, përfshirë vrasje, lëndime, ndalime, prishje shkollash dhe mohim të aksesit në shkolla.

“Shkollat, të cilat duhet të jenë vende sigurie dhe stabiliteti, po bëhen gjithnjë e më shumë vende frike”, tha ai. Zëdhënësi paralajmëroi më tej për përkeqësimin e kushteve humanitare, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës së ujit dhe rritjen e ndalimeve të fëmijëve.

Sipas UNICEF-it, 347 fëmijë palestinezë nga Bregu Perëndimor mbahen aktualisht në paraburgim ushtarak izraelit, numri më i lartë në tetë vjet, me më shumë se gjysmën nën paraburgim administrativ.

“Vuajtjet e tyre nuk mund të normalizohen”, tha Elder duke u kërkuar autoriteteve izraelite dhe shteteve me ndikim të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të mbrojtur fëmijët palestinezë.

MARKETING