Trump: Do të mjaftonin dy javë për të goditur të gjitha objektivat në Iran
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar në një intervistë të transmetuar sot se do të duheshin vetëm dy javë për të goditur “çdo objektiv të vetëm” në Iran. Ai shtoi gjithashtu se Republika Islamike është “e mundur ushtarakisht”.
Deklaratat u bënë gjatë një bisede me gazetaren e pavarur Sharyl Attkisson, e regjistruar javën e kaluar. Në të njëjtën intervistë, Trump e quajti gjithashtu NATO-n një “tigër prej letre” dhe akuzoi aleatët e SHBA-së se nuk kanë dhënë ndihmë të mjaftueshme në fushatën kundër Teheranit.
“Janë të mundur ushtarakisht. Në mendjen e tyre ndoshta nuk e dinë, por unë mendoj se e dinë,” tha Trump.
Ai shtoi gjithashtu: “Kjo nuk do të thotë se kanë mbaruar.” Sipas tij, ushtria amerikane mund të “ndërhynte edhe për dy javë të tjera dhe të godiste çdo objektiv”. Trump pretendoi se SHBA-të kanë goditur rreth 70% të objektivave të planifikuara, ndërsa disa të tjerë mbeten ende të mundshëm për sulm.
“Por edhe nëse nuk i bëjmë, do të ishin vetëm rregullime të fundit,” përfundoi ai.
Në deklaratat e tij u përmend edhe NATO, të cilën ai e kritikoi për mungesë mbështetjeje në operacionet e përmendura.

