Trump shqyrton zhvendosjen e trupave nga Gjermania në një tjetër shtet evropian
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pranuar se po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së disa prej trupave amerikane Gjermania në Poloni.
Deklarata u bë gjatë një bisede me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë dhe përputhet me një debat më të gjerë mbi një ekuilibër të ri të fuqisë së NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Kur u pyet për mundësinë e zhvendosjes së disa prej forcave në Poloni, Trump u përgjigj se “është e mundur”, duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira me autoritetet polake.
Në fjalën e tij, ai iu referua edhe presidentit Karol Nawrocki, të cilin e kishte mbështetur më parë publikisht.
“Polonisë do t’i pëlqente kjo. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Poloninë. Unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin Nawrocki. Mbani mend, unë e mbështeta atë dhe ai fitoi – edhe pse po pësonte shumë humbje, ai prapë fitoi. Ai është një luftëtar i shkëlqyer, një djalë i mrekullueshëm, më pëlqen shumë, kështu që është e mundur… Mund ta bëj”, deklaroi presidenti amerikan.
Siç u raportua, administrata amerikane planifikon të tërheqë rreth 5,000 trupa nga Gjermania gjatë 6-12 muajve të ardhshëm.
Megjithatë, Trump ka sugjeruar se shkalla e reduktimit mund të jetë edhe më e madhe.
Aktualisht, rreth 35,000 deri në 37,000 personel ushtarak amerikan janë të stacionuar në Gjermani.
Pak ditë më parë, Nawrocki deklaroi se Polonia është gati të presë trupat amerikane të tërhequra nga Gjermania dhe ka infrastrukturën e nevojshme ushtarake.
Varshava e sheh çdo rritje të forcave amerikane si një mënyrë për të forcuar sigurinë rajonale dhe krahun lindor të NATO-s.
“Ne tashmë e kemi infrastrukturën në vend dhe është në interes të Polonisë, Lituanisë dhe shteteve baltike që sa më shumë trupa amerikane të stacionohen këtu”, tha Nawrocki.

