BDI: Vendimet e Burim Latifit në MEPSO i kushtuan shtetit mbi 6 milionë euro

BDI: Vendimet e Burim Latifit në MEPSO i kushtuan shtetit mbi 6 milionë euro

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar drejtorin e MEPSO, Burim Latifi, se me vendimet e tij i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm që tejkalon 6 milionë euro.

Në një komunikatë për media, BDI thekson se deklaratat dhe veprimet e fundit të Latifit përbëjnë, siç thuhet, “pranim të qartë” të humbjes së kontestit dhe pasojave financiare që kanë ardhur si rezultat i kontratave të lidhura nga MEPSO.

Sipas partisë, edhe pse Latifi organizoi një brifing me gazetarë, ai ka shmangur mediat që prej kohësh kanë ngritur pyetje lidhur me kontratat e dyshimta dhe përgjegjësinë për dëmin financiar.

“Vetë fakti që Burim Latifi është konsultuar me zyra ligjore për të inicuar procedurë para arbitrazhit, dëshmon se ai e pranon humbjen e kontestit dhe dëmin e shkaktuar. Vendimi ekziston, MEPSO e ka humbur rastin paraarbitral”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti pretendojnë se Latifi ka prishur kontratën me kompaninë Energoinvest për të lidhur marrëveshje me kompani nga Banja Luka, të cilat, sipas tyre, janë të afërta me Milorad Dodik.

BDI pretendon se deri më tani janë nënshkruar dy kontrata me kompani nga Banja Luka dhe se pasojat financiare të këtyre vendimeve po i bartin qytetarët.

Në fund të reagimit, partia i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë urgjentisht rastin dhe të përcaktojë përgjegjësinë individuale për dëmin e pretenduar.

MARKETING