Aleanca e Selës: Mickoski po synon zhbërjen e të drejtave të shqiptarëve

Aleanca e Selës: Mickoski po synon zhbërjen e të drejtave të shqiptarëve

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë se po synon zhbërjen e të drejtave të fituara të shqiptarëve në vend.

Në reagimin e saj publik, partia thekson se angazhimi politik i Selës ka qenë i lidhur me “rrëzimin e regjimeve, avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit”, duke shtuar se ky mbetet edhe vizioni i tyre për të ardhmen.

Sipas ASH-së, Mickoski ka treguar qartë se mekanizma si Badenteri, përdorimi i gjuhës shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i konsideron çështje të së kaluarës, ndërsa po punon që ato të mos kenë vend në të ardhmen.

“Mickoski e pranoi sot se Badenteri, gjuha shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i takojnë të kaluarës dhe se sot e për të ardhmen ai punon të mos ekzistojnë”, thuhet në reagimin e partisë.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se periudha kur u miratua Ligji për Gjuhën Shqipe, kur respektohej mekanizmi i Badenterit dhe kur çështjet që lidhen me gjuhën shqipe nuk kontestoheshin nga Gjykata Kushtetuese, lidhet politikisht me përfaqësimin e Ziadin Selës.

Partia rendit si arritje të saj miratimin e Ligjit për Gjuhën Shqipe, Ligjit për Shtetësi, zgjedhjen e kryeparlamentarit të parë shqiptar dhe anëtarësimin e vendit në NATO.

“Ndihemi krenarë për të kaluarën tonë me suksese dhe arritje për shqiptarët dhe ua bëjmë me dije se edhe e ardhmja do të jetë e tillë. Ziadin Sela është këtu dhe do të jetë edhe më i fuqishëm bashkë me shqiptarët”, thuhet më tej në komunikatë.

MARKETING