(VIDEO) Ministri i Jashtëm: Nuk jemi të gatshëm për ndryshimet kushtetuese
Përderisa kushti për Maqedoninë e Veriut për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbeten ndryshimet kushtetuese, ministri i Jashtëm Timço Mucunski deklaroi se vendi aktualisht nuk është i gatshëm t’i ndërmarrë ato. Në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset (Alen Berse), Mucunski tha se ekziston mungesë besimi dhe besueshmërie në raport me premtimet dhe obligimet ndaj vendit. Megjithatë shefi i diplomacisë thotë se ne gjithmonë janë të gatshëm për dialog por sipas tij, mungoi vullneti për një dialog të tillë nga ana e Bullgarisë me Qeverinë e kaluar. Ai tha se, shpreson që në Sofje të ketë vetëdije se perspektiva evropiane për vendin tonë, sepse është e rëndësishme për të gjithë rajonin.
SINKRON:TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME DHE TREGTISË SË JASHTME
“Edhe nëse nuk ka një vetëdije të tillë dhe nëse një vetëdije e tillë nuk zhvillohet, kjo nuk do të thotë se po mendojmë për ndonjë alternativë, por do të vazhdojmë në rrugën e reformave, do të vazhdojmë në rrugën e pajtueshmërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe do të vazhdojmë të ndajmë ato vlera evropiane në të cilat besojnë shumica dërrmuese e qytetarëve tanë. Por nëse pyetja është nëse jemi të gatshëm për ndryshime kushtetuese në këtë kontekst dhe në këtë situatë, ne nuk jemi të gatshëm. Dhe le të mos ketë dilema rreth kësaj çështjeje”.
Ndërkaq, Alain Berset theksoi se roli i Këshilli të Evropës nuk përfundon vetëm me miratimin e vendimeve, por vazhdon edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Ai paralajmëroi se Komiteti i Ministrave do ta shqyrtojë këtë çështje me qëllim që vendimet e Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut të zbatohen plotësisht.
SINKRON:ALAIN BERSET, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I KËSHILLIT TË EVROPËS
“Jo vetëm që është i rëndësishëm roli në marrjen e vendimeve të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, por edhe zbatimi i tyre. Në rastin që përmendët për Bullgarinë, ju e dini se kemi një shqyrtim të vendimeve që ende nuk janë zbatuar. Dhe po punojmë për këtë. Kemi arritur një përparim të caktuar, do të thosha, gjatë muajit të fundit. Nevojitet pak kohë, por e dini, mendoj se stabiliteti i procesit është po ashtu i rëndësishëm, sepse duhet të jetë më shumë sesa vetëm një zgjidhje simbolike”.
Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi se procesi ka zgjatur më shumë seç duhet, por shtoi se po punohet intensivisht për të arritur rezultate konkrete në periudhën e ardhshme.
Samir Mustafa /SHENJA/

