Abdixhiku: LDK dhe Osmani në një listë të përbashkët zgjedhore – pritet formalizimi
Pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), kryetari i saj Lumir Abdixhiku ka folur para mediave.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për “bashkimin e madh” politik, për të cilin LDK ka qenë duke biseduar prej kohësh.
“Pikë e diskutimit ishte edhe bashkimi i madh për të cilin po flasim”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se është informuar dhe është dakorduar me kryesinë për formalizimin e bashkëpunimit me Vjosa Osmani, duke synuar një garë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.
“I njoftova kryesinë, votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje bashkëpunimin me Vjosa Osmanin për garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Abdixhiku, duke kërkuar t’i jepet edhe disa ditë kohë që të finalizohet kjo.
“Më jepni disa ditë që ti finalizoj diskutimet me zonjën Osmani për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Kishte dakordim për idenë e bashkimit, për garim të përbashkët”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se në mbledhje është diskutuar edhe për thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili pritet të mblidhet të shtunën.
“Folëm për proceset, përgatitjet partiake dhe listat zgjedhore. U dakorduam që të shtunën të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së”, u shpreh ai.

