Bashkimi zyrtarisht do të luajë në Gostivar
Skuadra e Bashkimit edhe zyrtarisht në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni si vendas do t’i luajë në qytetin e Gostivarit. Ky vendim është bërë publik përmes një njoftimi nga ana e klubit kumanovar, ku njëkohësisht është shprehur edhe mirënjohje për kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, për gatishmërinë dhe mbështetjen e ofruar. “Në një moment të vështirë për klubin tonë, pas dënimit të shqiptuar nga Federata e Futbollit, kryetari i Komunës së Gostivarit nuk hezitoi asnjë çast të na dalë në ndihmë, duke na mundësuar zhvillimin e ndeshjeve në Gostivar. Ky gjest tregon mbështetje të vërtetë për sportin dhe për komunitetin. FC Bashkimi është thellësisht mirënjohës dhe e falënderon nga zemra për këtë kontribut”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Bashkimit. Vendimi për zhvendosjen e ndeshjeve vjen si pasojë e dënimit të shqiptuar ndaj skuadrës kumanovare, e cila u ndëshkua me katër ndeshje si vendas jashtë fushës së saj dhe me 5 mijë euro gjobë, për shkak të incidenteve të ndodhura pas përfundimit të duelit ndaj Struga Trim Lum në kuadër të xhiros së 28-të. /SHENJA/

