Shkup, hapet zyrtarisht projekti “Shkolla Rinore Ballkanike 2026”
Në Shkup filloi zyrtarisht projekti “Shkolla Rinore Ballkanike 2026”, i realizuar nga Shoqata Kopru me mbështetjen e Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), raporton Anadolu.
Në aktivitetin e mbajtur në Qendrën e Inovacionit InnoX, që vepron në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, studentë dhe shumë të ftuar.
Këshilltari për Arsim në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Ali Riza Altunel, në fjalën e tij tha se mbështetja e YTB-së për projektin është domethënëse dhe e vlefshme.

Altunel falënderoi Shoqatën Kopru për ofrimin e një mundësie të tillë për të rinjtë, duke shprehur dëshirën që nxënësit dhe studentët të përfitojnë nga projekti njohuri, përvojë dhe aftësi të reja.
Kryetari i Shoqatës Kopru, Husrev Emin, theksoi se projekti do t’u ndihmojë nxënësve në përcaktimin e fushave ku do të ndjekin studimet universitare.
Duke theksuar se në kuadër të projektit do të organizohen punëtori të ndryshme dhe do të realizohen vizita në institucionet dhe organizatat turke në vend, Emin tha: “Do të kemi seminare me 8 punëtori të ndryshme që do të zgjasin nga 8 deri në 12 javë, kryesisht gjatë fundjavave. Përveç kësaj, do të kemi konferenca në tri fusha. Shpresojmë që të kaloni kohë të këndshme dhe të përfitoni njohuri, përvojë dhe eksperienca të bukura”.
Në projekt, ku do të marrin pjesë 220 nxënës dhe studentë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, do të përfshihen programe arsimore, aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe udhëtime kulturore.
Gjithashtu do të organizohen punëtori në 8 kategori, përfshirë Letërsinë, Artet e Bukura, Drejtësinë, Shëndetësinë, Ekonominë, Qytetërimin, Informatikën dhe Edukimin Mediatik.

