Kupa e Maqedonisë: Nesër përballen dy Shkëndijat në Tetovë
E mërkura do të sjellë ndeshjet e para të gjysmëfinales në Kupën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë raund, vëmendja kryesore do të jetë në duelin mes dy Shkëndijave, asaj të Tetovës dhe Haraçinës. Takimi i parë do të zhvillohet në Tetovë, ku kuqezinjtë e Jeton Beqirit do të synojnë të shfrytëzojnë avantazhin e terrenit për të siguruar një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit. Të dyja ekipet shqiptare pritet të japin maksimumin në fushë, me synimin e qartë për të bërë një hap të madh drejt finales së madhe të këtij kompeticioni. Ndeshja ndërmjet dy Shkëndijave do të luhet në stadiumin e qytetit të Tetovës, duke nisur nga ora 14:00. Ndërkohë, sfida e kthimit, e cila do të përcaktojë ekipin finalist, është planifikuar të zhvillohet më 6 maj. Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër, po ashtu nesër, do të përballen Ohridi dhe Sileksi, në një duel që nis nga ora 12:00. /SHENJA/

