(VIDEO) Paga e Haqim Ramadanit përplas BDI-në dhe Çairin

(VIDEO) Paga e Haqim Ramadanit përplas BDI-në dhe Çairin

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reagur në lidhje me pagesën që ish-kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani e merr nga Komuna e Çairit. Nga BDI thonë se Ramadani as nuk jeton në Çair, as nuk është taksapagues i Çairit dhe as nuk ka lidhje me nevojat reale të qytetarëve të Çairit. Për këtë,  nga BDI madje kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të komunës, Izet Mexhiti.

TABELË: BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“1,000 euro në muaj për aktivist nga jashtë Çairit, ndërsa edukatoret pa 100 euro për gjashtë muaj,  Mexhiti duhet të japë dorëheqje. Kjo është keqpërdorim moral, politik dhe institucional i komunës. Izet Mexhiti ka humbur çdo kredibilitet për të folur për përgjegjësi, zhvillim dhe kujdes ndaj qytetarëve. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Izet Mexhitit”.

Ndërkaq, nga Komuna e Çairit theksojnë se të gjitha angazhimet dhe pagesat bëhen në përputhje me ligjin dhe janë të dokumentuara e të verifikueshme. Nga komuna hedhin poshtë pretendimet për parregullsi.

TABELË: KOMUNA E ÇAIRIT

“Komuna nuk praktikon dhe nuk do të lejojë angazhime fiktive apo pagesa pa bazë reale. Në përpjekje për të devijuar vëmendjen nga thelbi, po plasohen konstrukte politike që nuk kanë asnjë lidhje me faktet. Në vend që të shtrohet çështja nëse dikush është banor i caktuar, thelbi është nëse puna është kryer dhe në këtë rast ajo është qartësisht e dokumentuar dhe e konfirmuar. Është ironike që pikërisht ata që për vite me radhë nuk vendosën standarde të transparencës, sot përpiqen të mbajnë leksione për llogaridhënie”.

Nga Komuna deklarojnë se çdo proces është i hapur, i verifikueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit publik. Ndryshe, në Financar Publike, figuron emri i  Haqim Ramadani, i cili  merr pagë nga komuna e Çairit 1000 euro në muaj.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING